Sot është një nga ato ditët që do ta mbaj mend gjatë – dita kur mora njoftimin nga DHL Express se zarfi im me fletën e votimit, i dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të mbërrijë. Në pamje të parë, është thjesht një zarf. Por për mua dhe për të gjithë ata që kemi punuar me përkushtim që nga viti 2020 për të realizuar këtë të drejtë kushtetuese, ky zarf është simbol i një fitoreje kolektive.
Ky emocion nuk vjen vetëm nga e drejta për të votuar, por nga rruga e gjatë dhe sfidat që na çuan deri këtu. Kam qenë dhe jam pjesë e grupit të punës për votën e diasporës si përfaqësuese e Këshilli Koordinues i Diasporës që në shtator 2020. Dhe pavarësisht se nuk kam bërë shumë zhurmë gjatë këtyre viteve, apo postuar foto nga takimet e shumta me drejtues të KQZ-së, deputetë të Parlamentit, përfaqësues të OSBE-së, e media, kontributi im ka qenë aty që nga shtatori 2020 – në çdo dokument, mbledhje, konferencë, udhëtime të shpeshta në Shqipëri, në çdo hap të procesit që lidhej me këtë temë.
Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me organizata të tjera të Diasporës shqiptare, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lobimin publik, ndërkombëtar dhe në ndërgjegjësimin e komuniteteve në vendet ku jetojmë.
Ky bashkëpunim ndër-institucional dhe ndër-komunitar ka qenë një nga çelësat e vërtetë të suksesit.
Procesi i parë për votën e diasporës dështoi në vitin 2021 për arsye kohore dhe politike.
Por kjo vetëm sa e forcoi përkushtimin tonë.
Ankimi në Gjykatën Kushtetuese nga lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë , dhe vendimi i kësaj Gjykate që detyroi Kuvendin të ndryshojë Kodin Zgjedhor, riktheu vëmendjen kombëtare mbi të drejtën e diasporës për të votuar.
Rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë, përballë nesh ka pasur shpesh pasiguri, dyer të mbyllura dhe mungesë vullneti politik për të mos folur dhe goditje personale.
Shpesh na përplaseshin në fytyrë deklarata si:
“Pse të votojnë ata që nuk jetojnë këtu?”,
“S’ka votë pa regjistër të shqiptarëve jashtë vendit”,
“Asnjëra palë nuk e do votën e diasporës”.
Ironikisht, disa nga këta sot krenohen për këtë proces…
Me gjithë zvarritjet, Kodi Zgjedhor u ndryshua në korrik 2024, dhe KQZ, me gjithë sfidat, e çoi procesin përpara me profesionalizëm. Komisioneri Shtetëror i KQZ Ilirjan Celibashi mori një përgjegjësi të madhe dhe bashke me ekipin e dedikuar për votën e diasporës arriti ta përmbushë ne kohë rekord këtë objektiv.
Sot, kjo ëndërr është realitet. Për herë të parë, ne në Diasporë po mbajmë në dorë fletën e votimit
– një akt i thjeshtë në dukje, por me një peshë të madhe historike dhe qytetare.
Ju bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve në Diasporë:
Mos e lini këtë moment të kalojë pa e bërë tuajën këtë të drejtë!
Plotësoni fletën e votimit, dërgojeni zarfin me postë.
Bëhuni pjesë e ndryshimit që duam të shohim në Shqipëri.
Nëse duam një Shqipëri më të drejtë, më transparente, më përfaqësuese, dhe europiane, atëherë kjo është koha për të vepruar.
Demokracia nuk është një dhuratë, është një përgjegjësi që duhet përmbushur me kontributin e secilit qytetar..
Dhe ne, si pjesë vitale e kombit shqiptar, kemi një rol thelbësor në forcimin dhe demokratizimin e vendit tonë.
Ky proces është një dëshmi se kur Diaspora është e konsoliduar, dhe organizatat bashkëpunojnë për çështje strategjike kombëtare – ajo bëhet një faktor real ndikimi dhe zhvillimi për Shqipërinë.
Ky është vetëm fillimi.
Vota juaj nuk është thjesht një zgjedhje – është një akt dashurie për vendin.
Një shprese për të ardhmen