Në kuadër të edicionit të katërt të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, u zhvillua një gala-mbrëmje mbresëlënëse me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga sektori i turizmit vendor dhe ndërkombëtar, duke reflektuar rëndësinë në rritje të këtij panairi në hartën rajonale dhe evropiane të turizmit.
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, theksoi impaktin pozitiv të këtij panairi, duke vënë në pah pjesëmarrjen rekord dhe përfshirjen e 15 shteteve. “Ka qenë ditë e ngarkuar, por me rezultate pozitive. Jam i nderuar që shoh një numër kaq të madh biznesesh, nga industria e turizmit të Kosovës dhe përfaqësues nga vende të ndryshme. Panairi po jep efekte të prekshme pas vetëm katër vitesh organizimi,” deklaroi Hoti.
Edhe drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Zef Dedaj, vuri në dukje rëndësinë e krijimit të kontakteve dhe partneriteteve të reja përmes këtij organizimi. “Kemi këtu përfaqësues nga së paku 16 shtete ndërkombëtare, përfshirë vende evropiane, rajonale dhe Kanada. Ky është një aktivitet thelbësor që ndihmon në zgjerimin dhe zhvillimin e sektorit të turizmit në Kosovë,” u shpreh Dedaj.
Panairi u bë gjithashtu një hapësirë e çmuar për bashkëpunim mes qyteteve të ndryshme, siç dëshmoi edhe prania e Bashkisë së Vlorës. Drejtoresha e Turizmit, Arlinda Tepelena, ftoi pjesëmarrësit të vizitojnë qytetin bregdetar shqiptar, duke e përshkruar si “një qytet ku përqafohen dy dete, me histori, arkitekturë dhe bukuri të jashtëzakonshme.”
“Kosova 2025” ka për qëllim të promovojë Kosovën si një destinacion turistik me potencial të lartë, si dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në këtë sektor. Panairi dyditor, i organizuar nga Unioni i Turizmit i Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe nën përkujdesjen e Komunës së Prishtinës, u shndërrua në një platformë për shkëmbim përvojash, ideve të reja dhe nxitje investimesh në turizëm.
Ky edicion i radhës dëshmoi edhe njëherë se Kosova është gati të bëhet pjesë e rëndësishme e hartës turistike globale.



