Pas impenjimeve me ekipin Kombëtar, futbollistët kuqezi janë rikthyer te klubet e tyre, ku disa prej tyre kanë bërë menjëherë diferencën me paraqitje të shkëlqyera dhe gola vendimtarë.
Manaj në superformë, Uzuni dhe Shehu shënojnë me klubet e tyre
Rey Manaj vazhdon momentin e tij të artë, duke shënuar një tjetër dygolësh këtë fundjavë me Sivassporin. Sulmuesi kuqezi ishte protagonist absolut në fitoren 5-1 ndaj Adana Demirspor, duke realizuar dy gola brenda katër minutave dhe asistuar në dy të tjerë. Paraqitja e tij fantastike u vlerësua me çmimin “Lojtari i Ndeshjes” nga platforma e statistikave Sofascore.
Myrto Uzuni nuk vonoi për të lënë gjurmë te skuadra e tij e re, Austin FC, në MLS. Sulmuesi shënoi golin e vetëm të sfidës në fitoren minimale 0-1 në transfertë ndaj St. Louis City, duke i dhuruar tre pikë të rëndësishme ekipit të tij, i cili renditet në vendin e dytë të kampionatit.
Një tjetër kuqezi që shkëlqeu këtë fundjavë ishte mesfushori Juljan Shehu, i cili pas debutimit si titullar me Shqipërinë ndaj Andorrës, shënoi një gol të rëndësishëm për Widzew Lodz në fitoren 0-2 ndaj Piast Gliwice në kampionatin polak.
Kontribut edhe nga Laçi, Kastrati, Simoni dhe Gjimshiti
Mesfushori Qazim Laçi bëri një paraqitje të mirë në sfidën mes Sparta Prague dhe Plzen, ku asistoi në golin e parë të skuadrës së tij, pavarësisht humbjes 2-4.
Nga lojtarët e tjerë të Kombëtares, Elhan Kastrati, Simon Simoni, Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj, Ylber Ramadani, Adrion Pajaziti, Ernest Muçi dhe Rey Manaj u aktivizuan si titullarë për ekipet e tyre. Ndërkohë, si zëvendësues u angazhuan Ivan Balliu, Arlind Ajeti, Taulant Seferi, Medon Berisha, Kristjan Asllani, Arbër Hoxha dhe Jasir Asani.
Me një formë të tillë, kuqezinjtë pritet të jenë në maksimumin e tyre për ndeshjet e ardhshme me Kombëtaren.



