Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se është i gatshëm për një marrëveshje me Kosovën, por ka theksuar se një marrëveshje e tillë duhet të bazohet në një zgjidhje kompromisi dhe jo në njëanshmëri.
Në një intervistë për Donald Trump Jr. në platformën “Rumble”, Vuçiq nuk ka komentuar në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të vitit 2023, por ka theksuar se Serbia është nën presion të madh për çështjen e dialogut. Ai shtoi se, ndryshe nga politikanët në Prishtinë, ai nuk do të kritikonte ata dhe nuk do të përdorte këtë mundësi për të thënë diçka të keqe për ta.
“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për një konsensus me Prishtinën. Por kjo duhet të jetë një zgjidhje kompromisi. Nuk mund të jetë e njëanshme,” theksoi Vuçiq.
Megjithë arritjen e marrëveshjes në Bruksel, Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapa për zbatimin e saj. Madje, në fund të vitit 2023, përmes një letre të dërguar në Bruksel, Serbia ka treguar se nuk po implementon disa pika të marrëveshjes, përfshirë njohjen de facto të shtetit të Kosovës.