Ka marrë fund dilema mbi të ardhmen ndërkombëtare të Rocco Vatës. Pas muajsh spekulimesh dhe hipotezash të ndryshme, talenti i ri ka vendosur të përfaqësojë Republikën e Irlandës, duke lënë pas çdo mundësi për të veshur fanellën kuqezi.
Në listën zyrtare të Irlandës për ndeshjet e muajit mars, emri i Vatës figuron mes të grumbulluarve për ekipin e parë. Ky zhvillim i ka dhënë fund çdo dyshimi mbi zgjedhjen e tij, pas refuzimit të mëparshëm për të luajtur me Shqipërinë U-21, një vendim që ai e kishte argumentuar me faktin se e konsideronte veten të gatshëm për një nivel më të lartë.
Trajneri i Irlandës mohon ndikimin e Shqipërisë
Gjatë një konference për shtyp, trajneri i Irlandës është pyetur nëse ftesa e Shqipërisë kishte ndikuar në vendimin për ta grumbulluar Vatën në këtë moment. Ai ka mohuar një gjë të tillë, duke theksuar se zgjedhja u bazua ekskluzivisht në talentin e lojtarit.
“Jo, nuk ndikoi interesimi i Shqipërisë. Rocco është një lojtar me potencial të madh dhe duam ta shohim nga afër në stërvitje. Ai ka treguar te Watfordi se mund të bëjë diferencën në një ndeshje të vetme,” tha tekniku irlandez.
Reagimi i Rudi Vatës: Shqipëria nuk e donte seriozisht
Ky vendim ka shkaktuar jo pak polemika, sidomos për faktin se babai i tij, Rudi Vata, ka qenë një nga figurat e njohura të kombëtares shqiptare dhe gjithmonë ka qenë i përkrahur nga tifozët kuqezi. Megjithatë, në një reagim për faqen Albanian Talents, Rudi Vata ka kritikuar qasjen e Federatës Shqiptare të Futbollit ndaj djalit të tij.
Sipas ish-kapitenit të kombëtares, ftesa që Shqipëria i bëri Rocco Vatës për U-21 nuk ishte serioze dhe u bë vetëm për të “larë gojën”.
“Ata që paguhen për të ndjekur lojtarët me vlera nuk kanë treguar interes për Rocon më herët, kur ai mund të ishte pjesë e çdo grupmoshe të Shqipërisë. U kujtuan tani, kur Irlanda e kishte ftuar për ekipin e parë. Një ftesë e tillë nuk mund të konsiderohet serioze, ishte thjesht një email i dërguar në momentin e fundit,” tha Rudi Vata.
Megjithatë, pavarësisht polemikave dhe zhgënjimit të tifozëve shqiptarë, vendimi është tashmë zyrtar: Rocco Vata ka zgjedhur Irlandën dhe nuk do të jetë pjesë e kombëtares kuqezi.