8 marsi im, 8 histori grash

E shtunë, 5 Korrik, 2025
E shtunë, 5 Korrik, 2025

8 marsi im, 8 histori grash

Si çdo vit, në Living, data 8 Mars, ashtu si i gjithë muaji, sinjalizon një punë të madhe për të promovuar zonja të njohura e të panjohura, historitë e të cilave shërbejnë si shembuj të forcës, ambicies, këmbënguljes, dhembshurisë dhe guximit që gruaja mbart. Ky vit nuk bën përjashtim. Një muaj i ngjeshur me aktivitete dhe rrëfime frymëzuese, por që nuk duhet të kufizohet vetëm në këtë periudhë. Ky është synimi ynë. Të shkruajmë dhe të tregojmë të bukurën është ajo që na evidenton, por dëshira për të përcjell histori të vërteta njerëzore është ajo që na diferencon. Nga ato më të thjeshtat e deri tek ato që mund të e deri tek ato që do të shërbenin si frymëzim për ndonjë prodhim kinematografik të zhanrit dramatik. Në fakt, vetë jeta është një përzierje arritjesh dhe sfidash, por ajo që ka rëndësi është aftësia për të gjetur dritën që na shtyn përpara. Ky është dhe lajtmotivi i këtij editoriali:
“Mos u dorëzo kurrë”!

Shumica e historive që kemi zgjedhur për këtë kopertinë kanë një fund të lumtur. Jo sepse ishte e lehtë, por sepse gratë që i kanë jetuar nuk u ndalën kurrë. Ato guxuan, provuan, u rrëzuan, por u ringritën edhe më të forta, duke krijuar realitete të reja për veten dhe komunitetin e tyre.

Këtë vit kemi zgjedhur 8 gra shqiptare, disa të njohura dhe disa që mund të mos jenë në qendër të vëmendjes publike, por që janë lidere në fushat e tyre të ekspertizës dhe ia kanë dalë të ndërtojnë një emër e reputacion me jehonë globale. E kur mund t’i rrëfejmë këto histori interesante më mirë se në 8 mars, duke i dedikuar një hapësirë të veçantë të gjitha zonjave dhe zonjushave që na ndjekin me besnikëri në “Living”. Shpresojmë që mesazhet e tyre frymëzuese t’ju prekin dhe t’ju japin forcë për të vazhduar përpara.
Nga unë, Santana, këtë vit, më tepër se një urim, kam një lutje: Qofshi gjithmonë të respektuara, në ambientin e shtëpisë tuaj, punës, nga shoqëria e kushdo që ju rrethon e ju mbush ditët me prezencën e tyre! Po të mendohemi mirë, nuk janë as komplimentet ndaj njëra-tjetrës, as buqetat me lule nga partnerët, shpesh apo rrallë, as dhuratat, ato që na bëjnë të ndjehemi të plotësuara, por është vetëm respekti. Si shoqëri, vuajmë ende mungesën e respektit dhe ndjejmë boshllëkun e tij në përditshmërinë tonë. Por shpresoj që të afrohemi drejt një ndryshimi real. Shpresoj shumë që më tepër se çdo emocion, ajo që të mbizotërojë të jetë lumturia. Pavarësisht formave trupore, defekteve të vogla, ngjyrës së lëkurës apo moshës, të gjitha dukemi bukur kur buzëqeshim. Ndaj, sado e vështirë të duket ndonjëherë, le të buzëqeshim më shumë. Të buzëqeshim edhe kur mallëngjehemi, kur ndjejmë lodhje apo pasiguri, sepse jeta është një dhuratë që duhet ta jetojmë në plotësinë e saj.
Gëzuar, për ne!

8 Marsi Im

Shpresa Xhakli – Zonja e kauzave të mëdha

Shpresa Xhakli ndoshta nuk është një emër shumë i njohur mediatikisht, por mjafton një hulumtim i thjeshtë për të zbuluar se sa jetik është misioni i saj. Ajo është një mjeke e përkushtuar, e cila, në vitin 1991, u përball me një sfidë të madhe: diagnozën e djalit të saj me autizëm. Një zonjë e fortë dhe e vendosur, e cila është e njohur jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë, për punën e saj të jashtëzakonshme në mbështetje të fëmijëve që janë pjesë e spektrit autik. Prej shumë vitesh e zhvendosur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sfida e Shpresës nuk ishte vetëm djali i saj dhe përshtatja me nevojat e tij, por menaxhimi i të gjithë kësaj situate në një vend të huaj, ku nuk kishte krijuar ende rrjetën e sigurisë që shpesh të jep një komunitet. Megjithatë, me forcën dhe vendosmërinë që e karakterizojnë, ajo nuk u ndal, por e ktheu të gjithë situatën e saj personale në një mision përgjithësues, për të shërbyer si mbështetje për të gjitha familjet si e saja, në Amerikë, Kosovë e Shqipëri. Që nga viti 2009, angazhimi i Shpresës në këtë fushë ka qenë i pandërprerë. Ajo ka pasur një ndikim të madh në krijimin e sistemeve mbështetëse për fëmijët dhe familjet që përballen me autizmin, duke kontribuuar në krijimin e ligjeve dhe rregulloreve që ekzistojnë sot për të ndihmuar këta individë.

Ajo ishte e para që themeloi një qendër të dedikuar për këtë kauzë në shtëpinë e saj, në bashkëpunim me dy psikologë nga Prishtina dhe mjekë të specializuar. Bashkëpunimi i tyre u shndërrua në një mundësi për të krijuar një ambient të sigurt dhe mbështetës për fëmijët dhe familjet e tyre. Për më tepër, ajo ka qenë një nga themeluesit e Bordit të Shoqatës së Autizmit, duke bashkëpunuar me figura të njohura të këtij komuniteti, si prof. Cen Krasniqi, prof. Hatixhe Hoxha dhe Arif Daka. Aktivitetet e saj të shumta, vizitat në shkolla, takimet me prindër dhe fëmijë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për të krijuar një ndërgjegjësim më të madh në lidhje me autizmin, e shndërruan mjeken në një ambasadore të mirëfilltë të ndihmës lidhur me këtë çështje. Pavarësisht sfidave dhe skepticizmit të disa individëve, Shpresa ka arritur të krijojë një lidhje autentike dhe të besueshme me njerëzit që e kanë mbështetur këtë kauzë.

“Filluam të aktivizojmë të gjitha shtresat e popullsisë, duke filluar nga mediat, për vetëdijësimin e prindërve dhe të shoqërisë lidhur me çfarë është autizmi, nëpër shkolla, ambulanca, dhe institucione të tjera, duke mos anashkaluar as artistët të cilët na ndihmuan shumë në këtë drejtim dhe kompani të ndryshme. Pastaj, vazhduam me një fushatë të gjerë gjithëpërfshirëse dhe me një reklamë televizive, në të cilën tregoheshin simptomat e para të autizmit dhe trajnimet e shërbimet që duhen marrë, të cilat filluam t’i ofrojmë shumë shpejt. Në trajnimet profesionale kanë marrë pjesë të gjitha vendet, si Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva dhe Mali i Zi.” Shpresa nuk dorëzohet, fondet që mungojnë në Kosovë, ajo i gjen në Amerikë, duke përmendur një thënie të vjetër “pak nga pak, gurë-gurë bëhet mur”.

Puna për mjeken e dashur nuk ka fund, ajo e konsideron një rrugëtim, përgjatë të cilit arritja më e madhe është ndërgjegjësimi i publikut dhe destigmatizimi i autizmit. “Mos u dorëzoni kurrë!” – Shpresa
Xhakli.

8 Marsi Im

Aurela Nasedkin – Bota si pasarelë e saj

Jetojmë në një kohë që duket sikur kemi normalizuar të gjykuarit dikë thjesht nga pamja e jashtme, e nga ai gjykim, kur na pëlqen ajo që shohim, të arrijmë menjëherë në konkluzion se ky individ ka një jetë tepër të bukur, pa probleme dhe se “e ka çdo gjë në terezi”. Kush nuk do të mendonte kështu për Aurela Nasedkin? Ndoshta jo të gjithë, por një pjesë e madhe po. E megjithatë, ata që nuk e njohin historinë e saj, përpjekjet dhe peripecitë që ka kaluar, mund të mos e dinë se pas asaj pamjeje të shkëlqyer dhe stilit të jashtëzakonshëm, fshihen shumë sfida dhe sakrifica. Aurela është një emër i njohur në botën e modës, me dy editorialë ekskluzivë për revistën “Living”. Për këtë 8 Mars, ajo ka një mesazh të fuqishëm: “Nuk është kurrë vonë të bëni pasionet tuaja motivin e ditëve që jetoni. Nuk është kurrë vonë të mundoheni të arrini aty ku e shihni veten, sidomos pasi keni bërë punën që duhet për të arritur aty. Mos u kujdesni vetëm për pamjen e jashtme, por sigurohuni që aq të bukur sa jeni jashtë, aq të bukur të jeni dhe brenda. Dhe më shumë se çdo urim tjetër, në këtë ditë uroj që të gjithë të marrim respektin që na takon, kudo dhe kurdo”.

Aurela, një vajzë e thjeshtë me origjinë vlonjate, do ta shënjonte jetën e saj me largimin që do të bënte në vitin 1993 me skaf drejt Italisë, vetëm 18 vjeç, për t’u bashkuar me të fejuarin e saj, emigrant në Gjermani. Ajo kaloi pesë vite në një kamp aty, ku u bë edhe nënë, në një vend të huaj, mes një komuniteti që as nuk e kuptonte dhe as nuk fliste gjuhën e tij. Por, në situatat më të vështira, njeriu shpesh gjen forcën dhe ambicien që nuk e ka ditur se ekzistonte. Dhe këtë forcë e gjeti edhe Aurela. Forcën për të vazhduar dhe ambicien për të arritur më shumë. Jo vetëm për veten e saj, por edhe për djalin që lindi dhe që e rriti si një nënë beqare pas ndarjes nga jeta të partnerit të saj, dhe për familjen që e mbështeti gjithmonë. Një pjatalarëse në Gjermani e deri tek roli i sanitares e pastrimi i tualeteve, më pas, një kameriere në Kanada, në vendin ku sot shijon jetën që ndoshta ka manifestuar gjithmonë me mund e dëshirë. Pas 11 vitesh luftë dhe përpjekjesh për të siguruar jetesën e saj dhe të fëmijës, ajo e gjeti veten në një punë zyre në një kompani që merrej me tregun e inxhinierëve. Dhe kur vijnë të mirat, shpesh ato vijnë të gjitha bashkë. Nga Aurela Lacaj në Aurela Nasedkin, mbiemri i partnerit të saj, njeriut të zemrës dhe mbështetësit të saj kryesor, ajo filloi të ndërtonte një rrugëtim të ri, një rrugëtim që do ta çonte drejt industrisë së modës. Një ndër të parat shqiptare me një blog të mirëfilltë që në vitin 2015, i cili erdhi si një pasion e mundësi në kohën e duhur, në momentin kur i biri po bëhej gati të largohej për rrugëtimin e tij universitar.
E nga një blog i thjeshtë me kombinime elegante, në një konsulente mode, partnere brandesh nga më të ndryshmet e një emër i lakmuar në Javët e Modës, Aurela shërben me të vërtetë si një shembull i suksesit që vjen kur dikush këmbëngul, beson në veten e tij dhe lufton për atë që do të arrijë.

Dhe kështu, ajo vajza e vogël që dikur stilonte motrat e saj me një pasion të madh për modën, është sot një grua e fortë dhe sharmante, që shënon çdo hap të saj në botën e modës me stil dhe elegancë. Në këtë 8 Mars, është e sigurt që vajza e vogël brenda Aurelës është krenare për gruan që ajo është bërë, dhe për gjithçka që ka arritur.

8 Marsi Im

Liri Kopaci – Jehona e saj për Barazi dhe Demokraci
Liri Kopaci-Di Michele është një emër i panjohur për ata që janë pjesë e fushës politike dhe për ata që janë të informuar mbi punën e saj. Një zonjë e nderuar, që mban një pozicion të rëndësishëm drejtues në Këshillin e Evropës në Strasburg, e cila fillimet e saj i ka pasur më të thjeshta nga sa mund të mendojmë. E lindur dhe e rritur në qytetin e Librazhdit, në një familje të madhe dhe me parime të forta, Liria është edukuar që nga fëmijëria me një dashuri të madhe për arsimin, vendin dhe mbi të gjitha, për punën që duhet kryer për të dhënë një kontribut të vlefshëm për vendin e saj. Një vajzë, e cila në moshën 16-vjeçare lë pas Librazhdin për të ndjekur studimet në qytetin e Tiranës. Pas studimeve në Shqipëri, ajo vazhdoi përtej kufijve, drejt Anglisë, ku filloi të formësonte konceptin e saj personal mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Pas një periudhe në vendlindje si mësuese, fati e çoi në një takim të rastësishëm që i hapi rrugën e saj drejt Evropës. Me një karrierë e cila bën bashkë plot 3 dekada, disa sisteme të ndryshme politike e shumë e shumë kolegë, projekte e nisma bashkë, Liria sot e ndan si karrierën, ashtu dhe jetën midis Shqipërisë, Belgjikës, Francës e Italisë. Ajo është shqiptarja e parë formalisht e punësuar në Këshillin e Evropës pas anëtarësimit të Shqipërisë. Në vitin 2018, ajo u nderua si një nga 100 personalitetet më me ndikim në politikat globale të barazisë gjinore nga platforma ndërkombëtare Apolitical, një vlerësim që e renditi përkrah udhëheqësve botërorë dhe aktivisteve e drejtuesve të organizmave ndërkombëtare.

Ky vlerësim erdhi si rezultat i përpjekjeve të saj të palodhura për avancimin e barazisë gjinore, si dhe për ndikimin e saj në politikat ndërkombëtare që mbështesin fuqizimin e grave dhe luftën kundër diskriminimit​ e dhunës. Përvoja e saj e parë profesionale në Shqipëri përfshinte angazhimin në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore, duke ndihmuar në krijimin dhe konsolidimin e sektorit privat dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Kontributi i vyer vazhdon çdo ditë të punës së saj lidhur ngushtë me 3 departamente kyçe: barazia gjinore, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, si dhe lufta ndaj diskriminimit mbi bazën e orientimit seksual apo identitetit gjinor, një punë të cilën Liria e bën me pasionin e përgjegjësinë më të madhe. Një nënë, bashkëshorte e kolege e devotshme, ashtu si dhe një eksploruese e natyrës, nuk ka një rol në jetën e saj për të cilin kjo figurë të mos jetë e përgatitur. E pyetur lidhur mbi këndvështrimin e saj përkundrejt figurës së gruas shqiptare, Liria është shprehur kështu: “Gruaja shqiptare është një figurë sa komplekse aq dhe e pasur në vlera: inteligjente, e guximshme, punëtore, fisnike, e ditur, e urtë, e butë, e rreptë, e brishtë, e fortë, solidare, modeste, e bukur, e ndjeshme, kurioze. Simbol i forcës, përkushtimit dhe sakrificës. Ajo është një heroinë që jo rrallë i duhet të sfidojë stereotipet dhe barrierat e shumta, të vjetra e të reja; pabarazi, dhunë, miszogjini, patriarkalitet. Dhe kjo jo vetëm për gratë e zakonshme shqiptare, por edhe ato që kanë arritur sukses në Shqipëri apo në botë”.

Në këtë 8 Mars, mesazhi i Lirisë është:“Ëndërroni dhe synoni majat. Kërkoni dhe punoni për të krijuar mundësi që ju çojnë përpara në jetën personale dhe profesionale. Vështirësitë dhe dështimet janë pjesë e jetës, ndaj mos u dekurajoni dhe mbi të gjitha, mos u dorëzoni”.

8 Marsi Im

Ledja Canaj – Shqipëria në mes të Brukselit

“Sa herë që reflektoj për rrugën që kam bërë deri më tani, nuk mund të mos rikthehem te vendimet dhe zgjedhjet që kam marrë. BON është pa diskutim zgjedhja më e mirë. Për rëndësinë, vlerën dhe peshën që ka për mua, të jem ambasadore e BON është një privilegj. Përgjegjësi, patjetër!” – Ledja Canaj.

Fati e deshi që më në fund të shkruaja për një nga shoqet e mia më të mira, Ledja Canaj. Dhe, siç ndodh shpesh me njerëzit që duam dhe i njohim mirë, është gjithmonë më e vështirë të flasim për ta. Por, nëse ka një shprehje që mund t’i qëndrojë pa frikë Ledjas, është: “Kudo ta hedhësh, Ledja do ta gjejë mundësinë t’ia dalë.” Dhe këtë e ka vërtetuar më së miri. Me Ledjan jemi njohur në korridoret e një prej televizioneve kombëtare që sot nuk ekziston më, TVA, kur ajo krijonte dhe realizonte reportazhe vetë. Një vajzë vlonjate, e cila pasioni për gazetarinë shpesh e rrëmbente dhe e bënte të krijonte rubrika nga më të ndryshmet. Ideja dhe krijimet e saj në ato vite bënin diferencën. Shqipëria i dha mundësinë të njihej dhe të ngjiste shkallët e para të karrierës, por Ledja ishte gjithmonë kërkuese dhe dëshironte më shumë. Kështu, një ditë vendosi të largohej nga vendlindja. Nuk e dinte se çfarë e priste, por ishte e sigurt që së bashku me Deldin, vajzën e saj, do të thyente çdo barrierë për të dalë nga situata ku ndodhej atë periudhë.

Dhe në fakt, Ledja ia ka dalë mjaft mirë. Jo vetëm që e rriti një fëmijë të talentuar dhe të mrekullueshëm, por gjithashtu zhvilloi profesionin e saj si gazetare në Belgjikë, në radion “Jehona e Shqipes”, dhe u bë porta e parë mikpritëse në mes të Brukselit. Ajo është themeluese e “Shqip-Ville”, Maison Culturelle Belgo-Albanaise, një qendër kulturore shqiptare në një nga ndërtesat historike të sheshit në Bruksel. Ky vend është kthyer në një shtëpizë pritjeje për komunitetin shqiptar atje, ku promovohen vlerat dhe artistët shqiptarë, e çdo javë organizohen aktivitete kulturore dhe degustime verërash nga kantinat shqiptare.
Ledja ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh në kampet e refugjatëve, ku ka jetuar në një dhomë 20 m2, duke e ndarë me 12 persona të tjerë. Por, edhe brenda këtyre kushteve, ajo ka vazhduar të motivonte veten, duke shkruar çdo ditë dhe intervistuar azilantë të ndryshëm, shumë prej të cilëve janë kthyer në miqtë e saj më të mirë. Qartazi, Ledja hyn në atë kategori njerëzish që natyra kërkuese dhe kurajoze që kanë, nuk i bën të ndalojnë, por i çon gjithmonë përpara. Edhe kur kjo natyrë mund të bëjë që të jesh më i rezervuar, Ledja ka aftësinë të të tërheqë dhe të të ftojë pranë. Siç e merr dashurinë, ajo edhe e fal.

Këtë e konsideron si një nga motivet e jetës së saj, së bashku me forcën për të qëndruar pozitive përballë çdo sfide. Në këtë editorial special, ky është dhe lajtmotivi i saj: Forca për të vazhduar gjithmonë përpara.

8 Marsi Im

Jonela Hoxhaj – Law & Order (of style)
Jonela Hoxhaj është një nga ato zonja, së cilës, një serial dedikuar jetës midis ligjit e modës do t’i rrinte shumë mirë. Me një CV të gjatë dhe të mbushur me përvoja, tituj dhe aftësi, ajo është një figurë kyçe në Frankfurt, veçanërisht për shqiptarët e atjeshëm. Prej vitit 2020, Jonela është emëruar Konsulle Nderi e Shqipërisë në Landin gjerman të Hessen-it (qendra ekonomike e të cilit është Frankfurti), dhe Kryetare e Shoqatës së Juristëve Gjermano- Shqiptarë në Gjermani.

Lindur dhe e rritur në Tiranë, Jonela ka qenë një ndër nxënëset më të dalluara të brezit të saj në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ajo mori pjesë në një konkurs për të fituar të drejtën e studimit, duke dalë në vend të dytë nga 700 pjesëmarrës, duke u bërë pjesë e Fakultetit të Drejtësisë dhe e vazhdoi rrugën akademike me rezultatet më të shkëlqyera.

Një ndër studentet e para shqiptare të pranuara në programin e shkëmbimit të studentëve të BE-së, ERASMUS, Jonela kaloi një vit në Göttingen, një nga universitetet më të vjetra dhe prestigjioze të Gjermanisë. Ajo përfundoi masterin dhe doktoraturën, ku mori notën më të lartë “summa cum laude”, dhe u nderua me një çmim shkencor nga “Shoqata Gjermane mbi të Drejtën dhe Politikën në fushën e Mjekësisë”. Pas kësaj, Jonela vazhdoi rrugëtimin e saj profesional në Berlin dhe Frankfurt, duke punuar në disa prej studiove më prestigjioze të avokatisë dhe duke kryer stazhe në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Prokurorinë e Frankfurtit. Megjithatë, përpos suksesit akademik dhe profesional, brenda Jonelës ka gjithmonë një zjarr të ndezur për modën, artin, udhëtimet dhe historinë, fusha interesi të cilave iu dedikua në vitin 2015 me një blog. Ajo njihet për stilin e saj unik, i cili shpesh bie në kontrast me kostumet serioze që puna e saj në fushën e drejtësisë e imponon. Markat që ajo preferon dhe mënyra e saj e veçantë e kombinimit e kanë shndërruar Jonelën jo vetëm në një burim këshillimi ligjor, por edhe në një burim frymëzimi të stilit, veçanërisht për zonjat që ndodhen në ambiente zyrtare. Dashuria e saj për artin është kaq e madhe, saqë ajo është anëtare e Muzeut të Artit Modern të Frankfurtit dhe Operës së Frankfurtit. Edhe pse e ka ndërtuar jetën larg Shqipërisë, lidhja e saj me vendlindjen mbetet shumë e fortë, sidomos me fshatin e rivierës Vuno, nga i cili ka dhe njërin nga gjyshërit e ku kalon pushimet çdo verë. Në këtë 8 Mars, Jonela përçon një mesazh të fuqishëm: “Mos e ndaloni kurrë veten nga ndjekja e ëndrrave dhe mos lini asnjë mundësi pa shfrytëzuar. Ndërtoni vetë rrugën në të cilën dëshironi të ecni, dhe mos harroni ta bëni këtë të veshura plot stil dhe elegancë.”

8 Marsi Im

Silvana Musej – Shija Shqiptare në Itali
Një zonjë elegante dhe tepër fine, Silvana Musej është tamam si personazhi kryesor në një film, me të cilin audienca nuk ka se si të mos bjerë në dashuri. Një shefe kuzhine, e cila e ka gjetur veten duke emigruar drejt Italisë në vitin 1998, e re, me një dëshirë të madhe për t’ia dalë, por gjithashtu e shoqëruar dhe me frikën e të panjohurës që shtrihej në horizont. Por, ndonjëherë fati është në anën e duhur të historisë tënde. Pas vetëm 10 ditësh qëndrimi në Itali, Silvana filloi punë si shitëse në një restorant, ku kaloi plot 16 vjet. Siç thotë edhe vetë: “Më ka shkuar mirë, vetëm 2 vende kam ndërruar në jetën time.” Pas disa kohësh, pronarja e restorantit ku Silvana gatuante i tha: “Unë dorëzohem, kuzhina është jotja.” Me 25 vite eksperiencë në fushën e kulinarisë, Silvana sot është një ndër emrat më të njohur të industrisë kulinare në Itali dhe jashtë saj. Ajo është përgjegjëse për menytë e eventeve më të rëndësishme si Sanremo, Festivali i Filmit në Kanë, dhe ka një emision televiziv në kanalin prestigjioz Rai 2. Silvana është gjithashtu shefe e kuzhinës e një prej takimeve të rëndësishme me prezencën e kryeministrit Edi Rama, dhe është shndërruar në një etalon të shijes.

Dhe pse është larguar relativisht e vogël nga Shqipëria, ajo kurrë nuk heziton të theksojë se është shqiptare. Madje, pak kohë më parë ka përfaqësuar Shqipërinë në një konkurs kulinar ndërkombëtar të shijes mesdhetare, ku morën pjesë 16 shtete dhe ajo fitoi medaljen e artë, duke zënë vendin e parë. Në të njëjtën kohë, shefja e talentuar gjithmonë ka ditur si të kombinojë shijen me të cilën është rritur me kërkesat e klientelës ndërkombëtare, duke e bërë atë akoma më unike dhe të kërkuar në profesionin e saj. Ajo ka fituar një mori çmimesh prestigjioze, përfshirë “Premio alla buona volontà”, ka qenë dy herë kampione rajonale në Piemonte dhe ka marrë dy medalje argjendi kombëtare.

“Në tetor të vitit 2004 pata kënaqësinë të takoj Princin Charles dhe gruan e tij, Camilla, të ftuar në eventin Salone del Gusto. Kështu u vlerësova si kuzhiniere dhe gjatë eventeve të ndryshme të rëndësishme më lindi dëshira për të krijuar receta të reja. Kështu e nisa, duke konfirmuar se gatimi është e ardhmja ime.”

Silvana është gjithashtu shefja zyrtare e kuzhinës për Venchi, fabrikën e famshme të çokollatës, ku ka nisur një aventurë të re në kuzhinë të frymëzuar nga çokollata, një mjedis i ri për të. Por, ajo është gjithmonë e gatshme të marrë përsipër sfida të reja. Kjo ka çuar në ideimin e një libri me receta unike të frymëzuara nga Venchi, një projekt i mbështetur nga CEO i Venchi, duke shtuar kështu edhe titullin e autores në CV-në e saj. Përveçse është një shefe shumë e suksesshme, Silvana është gjithashtu një grua tepër e bukur dhe elegante, e përzgjedhur si imazh i një brandi të njohur francez për veshjet e kuzhinës, një modele perfekte katalogësh, me njohje ndërkombëtare. Silvana është një nënë e dedikuar dhe gjithmonë i thotë mundësive të reja “po” me pasion dhe përgjegjësi. Qartazi, ajo nuk ka të ndaluar e ne mezi presim që të na jepet mundësia e të degustuarit shijet e saj autentike e të pëlqyera nga elita italiane e jo vetëm.

Në fund, Silvana ka një mesazh të fuqishëm për të rinjtë:“Që të mos dorëzohen asnjëherë por të vazhdojnë të ndjekin ëndrrat e tyre. Çdo gjë është e mundur. I them vajzave që të mos ndalen asnjëherë, por të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të punojnë fort.”

8 Marsi Im

Anila Kadija – Gjuha e shpirtit…

Nëse ka një grua që mishëron bukur ëmbëlsinë dhe mençurinë, pa dyshim, Anila Kadija është një nga ato. E vendosur jashtë Shqipërisë, aktualisht në Londër, ajo njihet si një kontribuuese dhe mbështetëse e fuqishme e diasporës shqiptare. Për më shumë se 30 vjet, Anila ka kontribuuar si gazetare dhe promovuese e kulturës dhe gjuhës shqipe. Rrugëtimi i saj, nga Shqipëria në Itali e më pas në Angli, ka kaluar përmes sfidave të mëdha personale dhe profesionale, por sot ajo gëzon familjen e saj të madhe me katër fëmijë e dy nipër, arritjet profesionale dhe mbi të gjitha, spikat me kontributin e paçmuar në diasporë si atdhetare, të cilin nuk e ka ndërprerë asnjëherë. Anila ka përfunduar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën e gjuhës dhe letërsisë, dhe është specializuar në gazetari. Po ashtu, ajo është diplomuar në shërbimet sociale dhe koordinimin e tyre në Itali. Prej vitit 2009, Anila ka dhënë kontributin e saj në Parma, Itali, dhe tani vazhdon jetën në Londër, ku punon si mësuese e gjuhës dhe kulturës shqiptare për diasporën. Ajo është fituese e Çmimit Kombëtar të Letërsisë në vitin 2021, çmim i akorduar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, për librin “Ninulla e Zemrës”. Ky libër është një përmbledhje poezi për fëmijët e të gjitha moshave dhe niveleve që mësojnë gjuhën shqipe në diasporë, si dhe për ata që duan ta njohin më mirë këtë gjuhë.

“Asnjëherë nuk e kam besuar që të jesh idealiste dhe moraliste janë dy cilësi të vjetruara. Po nuk pate ideale, nuk ke stimuj dhe po nuk pate moral, nuk ke jetëgjatësi shpirtërore. Të dyja të ushqejnë kurajën për të vendosur dhe jo për të zgjedhur. Sot e keni botën në duar dhe mundësitë janë pafund. Guxoni t’i përdorni ato dhe vendosni pa pranuar censurën kolektive!
Ushqeni veten me ideale dhe moral, dhe do të jeni modeli më i mirë i një shoqërie që kultivon virtyte dhe pasuri.” thotë Anila.

Prej vitesh kontributi i saj ka ardhur edhe nëpërmjet shkrimeve në revistën “Living”, ku ka pasqyruar personalitete të njohura dhe të suksesshme, si dhe ka ndarë me lexuesit pasionin e saj për udhëtimet. Ajo na sjell gjithmonë vendndodhje të reja, ekzotike dhe mjaft interesante, duke ushqyer kështu kureshtjen dhe dashurinë për botën. Anila është gjithashtu vajza e solistes së parë të Ansamblit të Ushtrisë, zonjës Naile Vathi, një histori frymëzuese gruaje, e cila, përballë pabesive të sistemit komunist, nuk u dorëzua kurrë. Hapat e vegjël të Anilës sot e kanë shndërruar në një emër të njohur dhe kontribues në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo vazhdon me iniciativat e saj personale për të përhapur gjuhën shqipe brez pas brezi.

“Nuk është e nevojshme t’i mundoni fëmijët të mësojnë çdo gjë. Nuk ka njerëz të aftë në çdo fushë. Përzgjedhja vjen natyrshëm nga nevoja personale dhe dëshira duhet të vijë nga vet fëmija. Fuqia e dijes është liria që ke në dispozicion për të qenë njeri i lirë jo një njeri i komanduar.” thotë ajo.

8 Marsi Im

Mirela Cerica – Moda e saj AVANT-GARDE
Për ata që janë të apasionuar pas modës dhe e duan atë që është unike dhe e guximshme, padyshim e njohin Mirela Cericën. Një dizenjatore me famë botërore, e cila ka qenë pjesë e kopertinave të revistave prestigjioze si Vogue Turkey, Elle, L’Officiel, dhe të tjera, Mirela ka gjetur veten në mes të Stambollit që në moshën 10-vjeçare. Ajo ra në dashuri me qytetin, me zhurmën, me ngjyrat, njerëzit dhe kulturën e tij – një dashuri që vazhdon ta kultivojë edhe sot.

“U dashurova që në fillim me Stambollin. Më pëlqeu aroma, ngjyrat, njerëzit dhe Bosfori. Që nga ajo ditë, dashuria ime për Stambollin vetëm shtohet”.
E sikundër mund të hamendësohet, atelieja e saj ka një pamje spektakolare nga ura e Bosforit, duke i dhënë një atmosferë edhe më magjepsëse punës së saj. Mirela vjen nga një familje me baza të forta dhe prindër inxhinierë. Ajo i përket brezit të fundit të komunizmit në Shqipëri, dhe kur prindërit e saj vendosën të jetonin në Stamboll, ata nuk i thanë të vërtetën, por thjesht e informuan për një udhëtim argëtues. Si vajza e madhe e familjes, ajo e ndjeu veten përgjegjëse për dy fëmijët e tjerë dhe përjetoi shumë emocione gjatë asaj periudhe të jetës. Një nga kujtimet më të hidhura për të ka qenë humbja e babait, një ngjarje që i ndryshoi rrjedhën e jetës dhe që e shtyu të përkushtohej plotësisht pasionit të
saj – stilimit të veshjeve.

Në fillim fliste vetëm anglisht dhe nuk dinte asnjë fjalë turqisht, por e kuptoi shpejt që turqishtja ishte e nevojshme për t’u ndjerë pjesë e asaj shoqërie. Ndaj nisi të mësonte turqishten e vjetër, paskëtaj, turqishten moderne. Shumica e njerëzve, nuk e kuptojnë që ajo është e huaj. Pasi mbaroi studimet për Inxhinieri Kompjuterike dhe Menaxhim në

Universitetin e Stambollit, Mirela filloi të kërkonte rrugën e saj të vërtetë: stilimin. Gjatë shkollës, ajo kishte nisur të dizenjonte, të merrej me copa, kallëpe, aksesorë e të qepte, duke krijuar koleksionet e saj të para.

“Mbaj mend që kam nisur të krijoj veshje që në moshën 3 apo 4-vjeçare. E kam ditur gjithmonë që ky do të ishte profesioni im në të ardhmen. Nëse veshjet e stiluara nga unë do t’i vishnin gratë, të cilat përpiqen me forcat e tyre për ta bërë botën një vend më të bukur, më të mirë dhe më të drejtë, ato që bëjnë ndryshime shumë të vogla apo edhe të mëdha, ato të cilat përpiqen dhe harxhojnë kohë për këtë, për mua kaq mjafton. Ato janë frymëzimi im, sido që të quhen, ato janë super gratë e mia.”

Përgjatë këtyre viteve, në një nga udhëtimet e saj të pafundme në Hong-Kong, ajo u njoh me bashkëshortin e saj francez dhe që nga ai moment, jeta e saj është ndarë mes Parisit, Brukselit dhe Stambollit. Është një histori dashurie aq e bukur, sensuale, që ngjason shumë me ato që shohim nëpër filma. U deshën vetëm dy ditë që jeta e saj të ndryshonte dhe ajo ndihet e
lumtur për këtë.

Mesazhi i Mirelës këtë 8 Mars lidhet ngushtësisht me filozofinë e markës së saj: “Që e vogël, kam udhëtuar shumë në disa vende të botës. Kështu u krijua stili im i modës dhe mënyra sesi unë stiloj. Historia e markës sime erdhi si pasojë e veshjeve që blija në vendet që udhëtoja. Veshjeve u shtoja edhe fustanet që i qepja për vete. Marka ime iu dedikohet grave të forta, të lumtura me veten e tyre, të cilat nuk njohin kufij dhe që kanë nga një histori për të
treguar.”/ Living/

Nga: Santana Çomora 

Kostandin Feshti

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.