Këtë ditë të veçantë, të shënuar e të shumë pritur, që i kishte të gjitha, (urime, përgëzime, buzëqeshje e shtrëngime duarsh) do ta quaja ditën e pranimit.
Po, më në fund e pranuan. Vonë! Por na pranuan.
Përtej shpërblimit apo çdo gjëje tjetër, kjo ka të bëjë me se si vlerësohet përpjekja e disa njerëzve të thjeshtë e patriotë, që meraku nuk i la të promovonin copëzën e atdheut që morën me vete.
Një kthim koke pas, dhe sheh tek ravijëzohet rruga e vështirë, udhëhistori e shkruar nga secili prej nesh që mban emrin MËSUES I GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË. Në këtë rrugëtim të vështirë, bashkë i bëmë përpjekjet bashkë kapërcyem vështirësitë.
Edhe sukseset bashkë i ndamë. Si sot.
Se jeta e vështirë në emigracion na mësoi, që ku ka dije, qytetërim dhe intelekt, çdo gjë që bën merr vlerë. Kur ke ideal dhe patos ama, vlera është e njëqindfishtë, akoma më e madhe kënaqësia e suksesit.
Edhe kur nuk ke zë, edhe kur nuk dëgjohesh, shkëlqimin nuk ta merr njeri.
Dhe ne, të nderuara koleget e mija shkëlqyem kurdoherë, edhe kur ishim të lodhura nga puna e vështirë e javës ne gjendeshim në klasë. Edhe kur ndjemë ndonjëherë zhgënjim, ne kënduam e recituam bashkë me fëmijë, se atdheut i shërben vetëm me zemër, dhe ne mësuesit tanë na mësuan të respektojmë çdo gjë shqiptare, ato morëm me vete në shpirt kur vendosëm të lëmë atdheun, dhe ndërtuam atdheun e ri të strehonim ëndrrat.
Se njeriu pa ëndrra vdes, kudo që të jetë.
Por jo të gjitha ëndrrat mbeten të tilla, ka nga ato që si në përralla papritur realizohen, ndodhin mrekulli edhe në jetën e vërtetë.
Mbase ishte diçka që e dëshironim fort, nuk kishte si bëhej ndryshe, por edhe yzmetin ia bëmë mjaft, bindëm veten, bindëm dhe të tjerët se nuk braktisim, se nuk është lojë, as nevojë për të vërtetuar diçka.
Mbase ne emigrantët e kemi më të madhe ndjenjën e mallit për Shqipëri, më të thellë dashurinë që gjuha e zemrës të mbetet sa më e pastër dhe të vazhdojë të jetojë në shekuj
Dhe sot jemi këtu, të gëzojmë e të themi së bashku “ia arritëm”
Dhe unë ndihem e lumtur që jam me ju, në familjen e madhe që quhet LMShG, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit, përtej egoizmit dhe hipokrizisë, smirës apo keqësisë.
Është gjëja më e mirë që kemi krijuar, dhe të jemi krenarë për këtë, sepse ne po shkruajmë historinë e re të komunitetit shqiptar në emigracion. sepse kemi emrin më të nderuar në botë.
NE JEMI MËSUES!
Nga – Eriketa Qorlazja, mësuese e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Athinë, Greqi.