Gjuha shqipe si gjuhë amtare dhe gjuha shqipe si gjuhë e origjinës, e trashëguar

E mërkurë, 19 Shkurt, 2025

Kanë kaluar tashmë pesëmbëdhjetë vjet që kur në Universitetin e Uppsala-s u hap kursi i parë i shqipes si gjuhë e huaj, që ofron jo vetëm trajnim të aftësive gjuhësore, por edhe njohje me elemente të kulturës dhe letërsisë shqipe. Meqenëse është i vetmi kurs në nivel universitar në të gjithë Skandinavinë, si edhe falë faktit që mësimi zhvillohet online, gjatë këtyre viteve kursin e shqipes si gjuhë e huaj (30 kredite) e kanë përfunduar me qindra studentë, mes tyre edhe shumë studentë që e kanë shqipen gjuhë të origjinës.

Para katër vitesh, Universiteti i Uppsala-s hapi edhe kursin për mësues të shqipes si gjuhë amtare (30 kredite), që u drejtohet si mësuesve aktualë që duan të  kualifikohen, ashtu edhe atyre që duan të bëhen mësues të shqipes në Suedi. Mësimi i shqipes si gjuhë amtare zhvillohet rregullisht në Suedi, në çdo shkollë ku ka fëmijë shqiptarë.

Termi “gjuhë amtare” është një term i përdorur masivisht në kontekstin e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgatës. Këtu vijojnë disa vëzhgime mbi arsyet që e kanë nxitur këtë përdorim, si edhe mbi pasojat e këtij përdorimi, të vështruara me lenten e hulumtimeve më të fundit shkencore në këtë fushë.

Arsyeja kryesore ka të bëjë me dëshirën për t’u dhënë fëmijëve të mërgatës, të lindur në troje joshqiptare, një përkatësi të qëndrueshme me atdheun dhe gjuhën amtare të prindërve. Mësimi i gjuhës amtare shndërrohet kështu në kordon ombelikal që ushqen dhe mban gjallë identitetin shqiptar të nxënësit. Përdorimi i termit “gjuhë amtare” në kontekstin e nxënies së shqipes në mërgatë nxitet jo vetëm për arsye patriotike, por edhe për arsye politike. Në Suedi, për shembull, duke e klasifikuar shqipen si gjuhë amtare për nxënësit me prindër shqiptarë, e përfshijmë atë në programe mësimore që favorizojnë mësimin e gjuhës amtare të financuar nga shteti bujtës. Edhe shtetet tona amë e përdorin për arsye politike; të gjithëve u intereson një numër sa më i madh folësish amtarë të  shqipes, edhe nëse këta folës janë të brezit të dytë a të tretë të emigrantëve. Deri këtu, duket se ky përdorim i termit ka vetëm të mira: shqipes i jep prestigj, fëmijëve u jep identitet dhe përkatësi. Atëherë, pse jo?

Në arsyetimin e mësipërm bie dukshëm në sy perspektiva nga lart poshtë:  perspektiva e prindit përkundrejt fëmijës, e shtetit përkundrejt individit. Po të ndalemi dhe ta kundrojmë çështjen nga poshtë lart, nga perspektiva e fëmijës, vëmë re se mësimi i shqipes si gjuhë amtare u jep atyre jo vetëm identitet dhe përkatësi, por edhe i ngarkon me barrën e pritshmërisë dhe përgjegjësisë së njohjes së shqipes siç njihet gjuha amtare. Madje jo vetëm me njohjen, por edhe me ruajtjen e gjuhës shqipe. Pritshmëria dhe përgjegjësia munden me qenë nxitje e mëtejshme zhvillimi, por për t’u bërë të tilla duhet të jenë të realizueshme. Domethënë, pritshmëria që fëmija i lindur në mërgatë ta flasë shqipen si gjuhë amtare duhet të jetë e realizueshme dhe e mundshme. Vetëm kështu fëmijës mund t’i ngarkohet përgjegjësia për ta folur shqipen si gjuhë amtare.

A mund ta zotërojë shqipen si gjuhë amtare një fëmijë i lindur jashtë trojeve amtare të  shqipes?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet më parë t’i përgjigjemi pyetjes: Çfarë e karakterizon një folës të gjuhës amtare?

Zotërimi i një gjuhe si gjuhë amtare shënon shkallën më të lartë të njohjes së një gjuhe si në vetëdijen popullore, ashtu edhe në hulumtimet shkencore. Krahasimet, studimet, pikënisjet zënë fill gjithmonë me folësin e lindur të një gjuhe, the native speaker. Instinktivisht, të gjithë e kuptojmë cila është gjuha jonë amtare: është ajo në të cilën nuk kemi dyshime, ajo që na i plotëson në mënyrë të përkryer nevojat e komunikimit në raport me nivelin e shkollimit.

“Si e mbërrin fëmija këtë zotërim të shkëlqyer?”, ka qenë gjithmonë një pyetje së cilës janë përpjekur t’i përgjigjen hulumtuesit, sidomos për shkak se duke kuptuar sekretin e këtij zotërimi, mund të ndihmohen edhe ata që e mësojnë një gjuhë si të dytë.

Dy janë faktorët vendimtarë. Së pari mosha e hershme. Për t’u bërë gjuhë amtare, një gjuhë duhet të mësohet në vitet e para të jetës. Fëmijët e mërgatës e plotësojnë këtë kusht, meqenëse këta fëmijë, ashtu si edhe ata që rriten në troje amtare, zakonisht bien herët në kontakt me gjuhën e familjes. E megjithatë, edhe pse e plotësojnë kushtin e moshës së hershme, gjuha e fëmijëve të mërgatës të të gjitha etnive shfaq mangësi gjuhësore në shumë fusha: në fjalor (Polinsky & Kagan, 2007), në klasifikimin e gjinisë (Polinsky, 2008), në kohë, në aspekt dhe në mënyra (Montrul, 2002; Lynch, 2003; Silva-Corvalán; 2006; Polinsky, 2008), në paradigmat e rasave (Polinsky & Kagan, 2007), në raportin midis rasave dhe rendit të fjalëve në fjali (Song, O’Grady, Cho, & Lee, 1997), në fjalitë ftilluese (O’Grady et al, 2011; Kim, 2001), në lidhjen midis kryefjalës dhe kallëzuesit (Bolonyai, 2007), në përemrat refleksivë (Song, O’Grady, Cho, & Lee, 1997; Kim, Montrul & Yoon, 2009), në shënimin e kundrinorit (Montrul, 2004; Montrul & Bowles 2009) etj. Siç shprehet Montrul (2016: 41): Because the vast majority of heritage speakers grow up in a situation of subtractive bilingualism, their language abilities and the structure properties of their heritage language show differences when compared to the grammatical abilities of their parents and of age-matched peers in their home countries. Kjo ndodh, sepse, përkrah moshës, gjuha amtare kërkon edhe plotësimin e një kushti të dytë.

Faktori i dytë është input-i gjuhësor që merr fëmija në këtë moshë të hershme, domethënë gjuha e prindërve dhe e familjes. Meqenëse, në përgjithësi, të gjithë njëvjeçarët, pavarësisht nëse banojnë në Shkodër apo në Stokholm, janë të rrethuar nga familja e vet, duket sikur mjafton që familja të flasë shqip dhe kushti i input-it është plotësuar. Por kjo tezë nuk qëndron. Hulumtimet tregojnë se brezi i parë i emigrantëve, brenda disa viteve nga emigrimi, fitojnë karakteristika në gjuhën amtare që nuk janë tipike të kësaj gjuhe. Në literaturën shkencore ky fenomen njihet si attrition (gërryerje, tretje) e gjuhës. “As parent’s length of residence increases, some of them may experience attrition” (Montrul, 2016: 239). Madje, ka studime që vërtetojnë fenomenin e gërryerjes edhe tek emigrantë të rritur, të cilët e kanë nxënë gjuhën amtare në kushte të njëgjuhësisë dhe e kanë përdorur gjatë si gjuhë të vetme (Dussias, 2004; Tsimpli, Sorace, Heycock, & Filiaci, 2004).

Po japim një shembull gërryerje nga folësit e shqipes në brezin e parë të emigrantëve shqiptarë në Suedi. Ndërkohë që folësit e shqipes në trojet amtare alternojnë pa mëdyshje përdorimin e kohës së pakryer dhe kohës së kryer të thjeshtë, të kushtëzuar që në fëmijëri nga një zgjidhje e vetëkuptueshme për këdo që ka shqipen si gjuhë amtare mes aspektit të pakryer (isha) dhe aspektit të kryer (qeshë), ky alternim zbehet tek emigrantët, sa më shumë përdorin suedishten. E pakryera ia lë vendin gjithmonë e më shumë kohës së kryer të thjeshtë, edhe atëherë kur veprimet ndodhin njëkohësisht: qeshë në punë kur më thirre! Dallimi aspektual midis dy kohëve perceptohet si joqenësor, si i dorës së dytë. E pakryera dhe e kryera e thjeshtë nisin e ndihen si sinonime, sa më gjatë që folësit e shqipes jetojnë në kontekstin e gjuhës suedeze, larg trojeve amtare. Mjafton, për shembull, të shfletosh përkthime të brezit të parë, nga suedishtja në shqip, dhe gjen tekste ku dallohet qartë mungesa e alternimit të këtyre kohëve dhe ku dallimet aspektuale zgjidhen me shprehje të tipit zakonisht ose me ndihmën e ndërkohë, ashtu siç e zgjidh gjuha suedeze. Arsyeja është e thjeshtë, folja në gjuhën zotëruese të ambientit, suedishtja, nuk e ka kategorinë e aspektit. Si koha e pakryer (isha), ashtu edhe koha e kryer e thjeshtë (qeshë) shprehen në suedisht me të njëjtën kohë që quhet preteritum, me të njëjtën formë foljore var. Përdorimi i përditshëm i kësaj forme në suedisht e tret dalëngadalë, në mënyrë të pavetëdijshme, dallimin edhe në shqipen e folësit të brezit të parë. Kuptohet, ky folës vazhdon ta njohë këtë formë kur e dëgjon të përdorur, por nuk e ka më aktive në gjuhë. Si rrjedhim, një zgjedhje e vetëkuptueshme për folësin e gjuhës në trojet amtare, tretet për folësin e gjuhës amtare në mërgatë.

I tillë është input-i gjuhësor i brezit të dytë. Edhe ne vetë mësuesit “vuajmë” nga gërryeja e shqipes, jo se bëjmë diçka gabim, por sepse është një proces i natyrshëm dhe i pashmangshëm. Me kalimin e kohës, ndjesia e gjuhës e humbet atë cilësinë e prerë të gjuhës amtare që e di krejt qartë si thuhet dhe si nuk thuhet. Toleranca gjuhësore rritet dhe pranon edhe konstrukte që nuk janë të natyrshme për një folës të trojeve. Një input i tillë gjuhësor, si edhe futja graduale gjithnjë e më zotëruese në vetëdije e gjuhës së vendit, bën që fëmijët e mërgatës, edhe pse e mësojnë shqipen herët, nuk e arrijnë dot nivelin e moshatarëve të vet në trojet amtare të shqipes. Domethënë janë, por edhe nuk janë folës amtarë. Janë folës të trashëguar:

Sigurisht, nxënia e gjuhëve është individuale dhe mbërritja e një niveli amtar nuk është e pamundur. Montrul (2016: 210) vazhdon më tej se po t’u krijohen kushtet e përshtatshme, me një përdorim aktiv të gjuhës në shoqëri dhe me mësimin në shkollë, edhe folësit që e trashëgojnë gjuhën mund të bëhen plotësisht të  rrjedhshëm dhe, në disa raste, të padallueshëm nga folësit e trojeve amtare në  shumë aspekte të gramatikës së tyre.

Ndërrimi i perspektivës do të ndihmonte edhe në didaktikën e mësimit të shqipes në mërgatë. Siç e pamë më sipër, nxënia e gjuhës së origjinës/ gjuhës së trashëguar nuk i ngjan nxënies së gjuhës amtare; por nuk i ngjan as nxënies së gjuhëve të tjera. Trifonas et al (2014) shënojnë se gjuha e origjinës nuk mësohet as si mësohen gjuhët e dyta, as si mësohen gjuhët e huaja. Vetëdijesimi i mësuesve për këtë problematikë mund të ndihmojë në zgjedhjet e tyre pedagogjike dhe kështu, ndërrimi i paradigmës do të ndikonte në punën e drejtpërdrejtë me fëmijët. Duke studiuar karakteristikat e nxënies së gjuhës së origjinës, mësuesit do të mbështetnin më mirë dhe më me rezultat zhvillimin e shqipes te fëmijët.

Për sa kohë përdorim termin “gjuhë amtare” për shqipen e fëmijëve të lindur në mërgatë, do të jemi të detyruar të flasim për mangësitë e kësaj gjuhe, sepse, nga  perspektiva e gjuhës amtare, shqipja e fëmijëve të mërgatës është një gjuhë e mangët. Nëse nisim t’i bëjmë llogaritë në minus, në minus do të mbetemi. Si e shohim dikë që nuk e flet mirë as gjuhën amtare? Si vlerë e munguar.

Por, nëse e ndërrojmë perspektivën dhe e shohim shqipen e fëmijëve të lindur jashtë trojeve amtare si gjuhë të origjinës (lingua d’origine) / gjuhë të trashëguar (heritage language), do t’i bënim llogaritë në plus. Shqipja e fëmijëve të mërgatës do të ishte një arritje, vlerë e shtuar e individit, sukses, pavarësisht nivelit të zotërimit. Kjo do t’i çlironte fëmijët nga kompleksi i mosnjohjes së gjuhës amtare. Ndërrimi i paradigmës do të rriste vetëbesimin e fëmijës dhe mënyrën si e shohin të tjerët.

Shqipja si gjuhë e origjinës, për një ndërrim perspektive

Nga perspektiva shoqërore, njohësit e shqipes si gjuhë e origjinës/ gjuhë e trashëguar ndoshta nuk janë ata që do ta ruajnë shqipen. Ky mision i shenjtë u përket atyre që e flasin shqipen në trojet amtare. Por njohësit e shqipes si gjuhë e origjinës/ gjuhë e trashëguar kanë misione të tjera të rëndësishme:

  • janë përkthyesit që na mungojnë sot, ata që njohin shqipen dhe e përkthejnë në

gjuhën amtare të vendit bujtës;

  • janë përçuesit e besueshëm të vlerave të kulturës shqiptare;
  • janë lobuesit e interesave shqiptare në politikat e huaja.

Vetëm fëmijët që nuk ndihen në faj për mosplotësimin e pritshmërisë së gjuhës amtare, do të gjejnë dhe do të trashëgojnë pasurinë e vlerave të origjinës me vetëbesim dhe gëzim jete.