Mbrëmjen e 21 Tetorit në ambientet e “New York College” në Athinë, u zhvillua takimi i promovimit të librit ,”Udhëkryq” me autor z.Fate Velaj. Takimi ishte organizuar nga Shtëpia Botuese Greke “Oqeanidha” dhe Ambasada Shqiptare në Greqi.
Ishte një mbrëmje kulturore ku padyshim të gjithë të pranishmit morën kënaqësinë maksimale që prisnin nga ky takim me autorin, z.Fate Velaj !
Mënyra e organizimit për promovimin e botimit “Udhëkryq” është për t’u vlerësuar. Pjesëmarrja tregonte më së miri vlerësimin moral por dhe si krijues të autorit Fate Velaj.
Salla ishte mbushur tejpërtej, kishte pjesëmarrës të një niveli të lartë me përfaqësuese znj. Luela Hajdaraga, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Athinë, nga përfaqësues zyrtar të Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva, nga përfaqësues zyrtar të Maqedonisë së Veriut në Athinë, z.Samir Ganija, z. Roland Berzani, Atashe prane Ambasadës Shqiptare në Athinë, znj. Joneda Dodaj, Oficere Koordinatore për gjuhën shqipe dhe kulturën në Diasporë, znj.Vasilia Kerestezi, filologe pranë Sh.B.”Oqeanidha”, z.Konstandinos Smirniotakis, botues pranë Sh.B.”Oqeanidha”, z.Dinos S. Koubatis shkrimtar, znj. Elona Gjergo-Tanka shkrimtare, Festim Zace përfaqësues i Shoqatës Korça, Nestor Dede ,President i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Greqi, e shumë të tjerë artistë, profesionistë, intelektual, bashkëkombës nga Atdheu dhe nga komuniteti ynë në Greqi të cilët janë dashamirës së librit dhe të artit.
Autori Fate Velaj ka lindur në Kaninë të Vlorës , aty ku u linden breza të tërë, gra e burra të mençur e trima që i dhanë nder e lavdi në shekuj Shqipërisë.
Prezantim i “Udhëkryq” ishte tepër impresionues, një ballafaqim i brendisë së udhëkryqeve të panjohura, kalitur monopateve të jetës, duke nisur rrugën e jetës nga Kanina e Vlorës, dhe fati sa i vrazhdë e i begat i Fates, ishte shkruar të jetonte larg nga vendlindja, lartë në majat e maleve të alpeve të Austrisë.
Surprizat e brendisë u prezantuan ndjeshëm, ku prezantuesit dëshmuan në mënyrë analitike duke na mbajtur të mbërthyer në ankth e duke zbuluar ngjarje nga rruga e mundimshme e emigrantit, autorit tonë, protagonistit Fate, drejt udhëkryqeve të panjohura.
Shtrirja e rrëfimit të realitetit jetësor të autorit Fate Velaj, ku mbartnin ngjarje, detaje të rëndësishme të situatave jo të zakonshme, krijuan një realitet mundimesh, vuajtjetesh, angazhimesh,
suksesesh të qenësishme midis fillimit dhe fundit të romanit.
E veçanta tjetër e këtij botimi qëndron në faktin se ky botim gjallon dhe në gjuhë tjetër, në gjuhën greke.
Ky botim tek lexuesit greke realizon shkëmbime universale të vlerave jetësore të shqiptarëve, gjithashtu lexuesi komunikon përmes artit të krijimtarisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Përgëzoj autorin z.Fate Velaj, për këtë botim të vlerësuar që na e ka sjellë shkruar qartë, raportin midis vështirësive dhe qëndresës. Para nesh vjen jeta e tij treguar bukur me impresivitet të lartë duke hedhur mbresat e shpirtit të tij e duke na dhënë kurajo, optimizëm për jetën dhe për të ardhmen.
Takimi u zhvillua në një frymë të lartë vëllazërore dhe artistikisht bukur.
Kujtim nga kjo mbrëmje do të na mbetet romani artistik “Udhkryq” me autografin e autorit, Fate Velaj dhe imazhi i tij si krijues letrar ne raport me veten dhe të tjerët.