Autori Migjen Kajtazi ka sjell një botim në gjuhën frënge që ja kushton të gjithë shoqatave shqiptare në Zvicër. “Les Associations d’immigrés albanais en Suisse”(Shoqatat shqiptare në Zvicër), quhet botimi i tij, për të cilin i është dashur të punojë për një kohë të gjatë.
“Ideja e kërkimit tim lidhur me shoqatat shqiptare në Zvicër i botuar në gjuhën frënge (Les Associations d’immigrés albanais en Suisse) ka lindur së pari nga angazhimi im profesional dhe gjatë studimeve pas diplomike. Ka 10 vite që jam i angazhuar në Zyrën kantonale të Integrimit, me funksion i ngarkuar për misione strategjike dhe administrative si përgjegjës regjional ku jam në kontakt direkt apo inderket edhe me shoqatat shqipëtare të kantonit Vaud. E në kuadër të punës kam qenë koordinator i botimit të adresarit të të gjitha shoqatave, organizatave dhe institucioneve që punojnë me emigrantë në Kantonin Vaud“, shprehet Migjen Kajtazi për Diaspora Shqiptare.
Kajtazi tregon më tej se Komuniteti shqiptar filloi të organizohet në formë shoqatash me ardhjen e grupeve të para të azilkërkuesve shqiptarë në Zvicër, të larguar nga regjimi diktatorial i ish-Jugosllavisë.
“Bëhet fjalë për periudhën kohore pas demonstratave të viteve ’80 në Kosovë, e sidomos pas fillimit të luftës në Bosnjë e Kroaci. Aktivitetet e shoqatave shqiptare synonin mobilizimin kombëtar, për rritjen e ndjeshmërisë kombëtare, ndihmës ekonomike, arsimore, informimin për situatën që mbretëronte nën regjimin serb të dhunës në Kosovë, etj. Punimi merr për bazë aspektin e përshkrimit historik, analizës dhe krahasimit me punimet e tjera, e sidomos studimi është fokusuar në tri periudha të mëdha të rolit të shoqatave shqiptare. E nëse komunitet e tjera evropiane kishin mbështetjen e shtetit nga vinin, komuniteti shqiptar në Zvicër ishte i përndjekur nga regjimi serb. Pra, mundësitë e organizimit ishin të vogla”, tregon Migjeni.
Ai tregon se organizimet e para ishin më tepër organizime sportive dhe kulturore. Rregullat e futbollit, si sport më i përhapur dhe më i njohur në botë, është e lehtë për t’u praktikuar edhe nga personat që nuk njihen me njëri-tjetrin dhe që nuk e flasin të njëjtën gjuhë. Organizimi i komunitetit shqiptar, së pari në klube sportive, ishte më i pranueshëm në aspektin politik, praktikisht rreziku i përndjekjeve politike në Jugosllavi ishte më i vogël.
Ndërsa përsa i përket krijimit të shoqatava të mirëfillta Migjeni tregon se gjithccka nisi me ardhjen e grupeve të para të azilkërkueseve shqiptarë në Zvicër, të larguar nga regjimi diktatorial i ish-Jugosllavisë, sepse këta njerëz ishin më të arsimuar dhe kërkonin që të zhvillonin veprimtari të ndryshme edhe në Zvicër.
“Manifestimet e komunitetit shqiptar kishin karakter të mobilizimit për çështje të mbijetesës dhe të lirisë. Nuk është e rastësishme që komuniteti shqiptar filloi të botojë gazetat e veta në Zvicër, apo të krijojë bazat e organizmit politik, ekonomik, arsimor e ushtarak. Preokupimet dhe qëllimet e ekzistencës së shoqatave shqiptare në Zvicër u profilizuan në lidhshmëri me ngjarjet në Kosovë e në trojet shqiptare në Ballkan. Shembulli më paradigmatik, në planin vendës, është gazeta “Zëri i Kosovës”, e botuar në Zvicër nga vitet 1984-1999, e cila pothuaj në të gjithë artikujt kryesorë kishte ilustrimin e gjendjes në trojet shqiptare. Këtë shqetësim e shohim po ashtu në organizimet e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë pranë Universitetit të Lozanës, e themeluar në vitin 1994 dhe e njohur nga rektorati i Universitetit të Lozanës. E njëjta situatë vazhdoi gjatë luftës në Kosovë e Maqedoni, me ç’rast mobilizimi i shoqatave shqiptare në kantonin Vaud ishte gjithëpërfshirës dhe kontributi i tyre shtrihej në të gjitha fushat”, vijon rrëfimin e tij Migjen Kajtazi.
“Pas përfundimit të luftës, në Kantonin Vaud filloi një periudhë e hapjes së shoqatave dhe ndryshimit të qëllimit dhe të arsyeve të ekzistencës së tyre. Tani, në kantonin Vaud, duke u bazuar në adresarin e shoqatave, institucioneve, shoqërive që punojnë në fushën e integrimit, ky regjistër numëron mbi 500 shoqata të tilla. Shoqata në fushën kulturore, muzikore, edukative, ekonomike, sportive, etj.. Fakti që në Kantonin Vaud pas luftës së Kosovës u themeluan disa institucione me rëndësi tregoi se detyra e tyre ishte të përshtateshin me nevojat e kohës” shpjegon Kajtazi duke theksuar se shoqatat e tjera të themeluara pas luftës në statutin dhe në aktivitetet e tyre si qëllim pune kanë promovimin e kulturës shqiptare, krijimin e rrjeteve dhe të hapësirave për shkëmbim kulturor, ekonomik, sportiv etj., mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë të komuniteteve të tjera.
Integrimi i komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane dhe në shoqëritë e tjera perëndimore po jep rezultate pozitive, jo vetëm për komunitetin shqiptar që jeton në këto vende. Ato shoqëri shërbejnë si një urë që Kosova e Shqipëria të integrohen më shpejt e më lehtë në komunitetin evropian.
*Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i materialit pa cituar burimin “Diaspora Shqiptare”.