Doktori nga KosovaKujtim Pllana ka rrëfyer përvojën e tij në Gjermani për menaxhimin e situatës me virusin Covid-19. Ai ka treguar kur ka ndodhur rasti i parë atje, dhe cilat masa janë marrë nga shteti gjerman për ta parandaluar virusin vdekjeprurës. Pllana ka folur po ashtu edhe për punën e mjekëve në Kosovë dhe përpjekjet e këtyre të fundit për ta luftuar përhapjen e madhe të virusit Corona.

Gjithçka filloi në muajin nëntor 2019 në Wuhan të Kinës. Virusi Corona apo i njohur ndryshe edhe si Covid-19, tash e disa muaj ka pushtuar gjithë globin.
Shtetet e prekura nga ky virus janë futur në karantinë. Me rekomandimin e ekspertëve shëndetësor, qytetarët me masa mbrojtëse po mundohen ta mbrojnë vetën nga ky virus.
Edhe në Gjermani, shtetin ku jetojnë shumë shqipëtarë nga Kosova, janë marrë masa për parandalimin e Covid-19.
Specializani dhe anestizologu për kujdes intensiv nga Kosova, Kujtim Pllana, i cili jeton dhe punon në Gjermani, ka rrëfyer për menaxhimin e përhapjes së këtij virusi nga shteti gjerman.
Sipas Pllanës, rasti i parë në Gjermani është paraqitur në fund të muajit janar 2020 e në fillim të muajit shkurt.
Ndërsa personi i parë i infektuar është një person i ardhur nga veriu i Italisë.
Pllana thotë se ky rast nuk ka bërë bujë të madhe atje. Sipas tij, fluksi më i madh i njerëzve të infektuar në Gjermani ka ndodhur në fillim të muajit mars.
“Sa kam informacione unë, rasti i parë në Gjermani është paraqitur në fund të muajit janar e fillimit të muajit shkurt. Sipas informacioneve që kam, personi i parë i infektuar është i ardhur nga pjesa veriore e Italisë. Ky rast nuk është se ka bërë ndonjë bujë të madhe. Fluksi më i madh i njerëzve të infektuar në Gjermani ka ardhur në fillim të muajit mars”, ka treguar Pllana.
Në 3 javët e ardhshme pritet një rritje drastike e numrit të të infektuarve me Covid-19.

Doktori shqiptar ka thënë se shteti gjerman është i përgatitur edhe për një numër më të madh të infektuarish.
“Ka filluar mbyllia e hapësirave publike, e shkollave, restoranteve dhe bareve. Këtu punojnë vetëm supermarketet me kushte specifike. Ndërsa, në spitale janë marrë të gjitha masat e nevojshme për treshifimin e shtretërve intensiv si dhe parapërgatitje e stafit për një fluks të njerëzve nëpër spitale”, ka thënë ai.
Kësisoj Pllana ka thënë se para dy javësh personeli shëndetësorë në Gjermani ka marrë vendim që rastet më të lehta mos të merren parasysh, kështu duke ju dhënë përparësi personave të prekur me Coronavirus.
Menaxhim i mirë i situatës në Kosovë
Ndonëse sistemi shëndetësor në Kosovë në krahasim me atë gjerman, ka dallime të mëdha, doktori nga Kosova thotë se menaxhimi i pandemisë Covid-19 në Kosovë po bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ai ka vënë një theks të veçantë tek sistemi shëndetësor në Kosovë, pasi që siç thotë Pllana, ky sistem mbetet shumë i ndjeshëm pasi që nuk është investuar mjaftueshëm në të.
“Situatën në Kosovë e përcjelli me vëmendje. Deri tani është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Situatën e përcjelli edhe për shkak se prindërit e mi jetojnë atje. Unë mendoj që mjekët në Kosovë janë duke e bërë një punë të jashtëzakonshme, duke e përfshirë edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Pavarësisht që sistemi shëndetësor në Kosovë mbetet shumë fragjil për shkak se nuk ka qenë dhe ende nuk është prioritet i asnjë Qeverie. Investimet në sistemin shëndetësorë në Kosovë janë shumë minimale”, ka pohuar Pllana.
Doktori shqiptar ka vlerësuar se mjekët kosovarë kanë shumë për të mësuar nga ata në Gjermani.
Ai ka shpërfaqur dallime të mëdha të sistemit shëndetësor të Kosovës me atë gjerman.
Krahas kësaj, ai ka thënë sistemi shëndetësor gjerman është më i avancuar, pasi që ka investime kapitale për kokë banori afërisht dyfish më shumë se në Kosovë.
“Janë dy gjëra që nuk mund të krahasohen, pasi sistemi gjerman është shumë i avancuar dhe ka investime kapitale për kokë banori diku dyfish më shumë se në Kosovë. Kështu që shkëmbimi i përvojave do të ishte shumë i mirë si dhe leximi i revistave shkencore. Por, do të ishte interesant që këto përvoja të njiheshin edhe prej mjekëve kosovarë që kanë studiuar në Prishtinë sikurse puna ime, të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani”, ka thënë Pllana.
Mungesa e sigurimeve shëndetësore rrezik i madh në kohë pandemie
Mungesa e sigurimeve shëndetësore në Kosovë si dhe mungesa e aplikimit të politikave të këtij sektori, për Pllanën paraqet rrezik të madh në Kosovë edhe në një kohë pandemie siç është tani.
“Pyetja ime e radhës do të ishte se pse nuk sigurime shëndetësore ende? Gjithçka që lidhet me sistemin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve lidhet me sigurimet dhe politikat shëndetësore, të cilat në një kohë pandemie nuk mund të diskutohen. Mirëpo, mendojë që duhet të merren masa që në rast se vie deri në një emergjencë, duhet të jenë resurset e nevojshme t’i përdorin. Gjithsesi, që ka mundësi dhe vend për përmirësim të këtyre kushteve”, ka thënë doktori shqiptar.

Të trajnohet personeli shëndetësor për të punuar me respiratorë
Ai po ashtu ka një këshillë për kolegët e tij në Kosovë.
“Rritja e kapaciteteve të kujdesit të mesëm intensiv si dhe trajnimi i secilit mjek për të punuar me respirator hyn në rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në Kosovë. Kjo do të ishte e vetmja këshillë për stafin shëndetësor atje”, tha Pllana.
Prej masave parandaluese për virusin Covid-19, ai tregon disa shembuj shumë injteresant teksa shpjegon mënyrën e përhapjes më të lehtë të këtij virusi.
“Masat parandaluese janë shumë interesante sipas Institutit Robert Koch, virusi në plastikë jeton tri ditë, po ashtu në metale si dhe në xham. Kështu që duhet të kemi shumë kujdes kur të kemi kontakt me këto tri materialeve. Me xham kemi kontakt çdo ditë sepse shumica e telefonave përbëjnë xham, kurse metale dhe plastik kemi në përdorim pasi ne blejmë produkte ushqimore dhe furnizohemi me to”, theksoi ai.
“Mënyra më e mirë e parandalimit është shmangja e kontaktit me të njerëzit që kemi pas kontakt për çdo ditë, shmangja e përqafimeve, larja e duarve dhe fytyrës me sapun si dhe të bëhet dezinfektimi i tyre. Si dhe masa më e mirë parandaluese është të rrimë në shtëpi dhe të mos dalim pa nevojë”, tha në fund Kujtim Pllana.
Burimi origjinal, këtu: