Policia e Shtetit ka arrestuar 150 persona në Tiranë dhe Durrës për dhunë dhe dëmtim të pronës gjatë protestave të ditëve të fundit. Ndërkohë, 256 persona të tjerë po procedohen penalisht, sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu.
Gjatë një deklarate për mediat, Ziu bëri të ditur se në Tiranë janë arrestuar 127 shtetas, ndërsa 244 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë. Ata dyshohen për vepra penale që lidhen me dhunën ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private, përfshirë bankomate, kamera, automjete dhe rrethime metalike.
Në Durrës, sipas Policisë, janë arrestuar në flagrancë 23 persona dhe 12 të tjerë janë proceduar penalisht. Ata dyshohen për kundërshtim dhe goditje të punonjësve të Policisë me sende të forta, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe zjarr të institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private.
Ziu deklaroi se strukturat e Policisë, në bashkëpunim me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, kanë ngritur grupe të posaçme hetimore për analizimin e provave materiale dhe pamjeve filmike, me qëllim identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të përfshirë në akte dhune.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që marrin pjesë në protesta të distancohen nga personat e dhunshëm, duke theksuar se e drejta për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të justifikojë dhunën ndaj punonjësve të Policisë apo dëmtimin e institucioneve.
Kreu i Departamentit për Sigurinë Publike bëri gjithashtu të ditur se strukturat e specializuara po hetojnë mesazhe të shpërndara në kanale dhe grupe komunikimi online, ku dyshohet se janë bërë thirrje për akte ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.
Policia njoftoi se veprimet hetimore dhe procedurale vijojnë edhe në qarqe të tjera, përfshirë Korçën, Shkodrën, Kukësin, Elbasanin dhe Vlorën.



