Emisari i meparshëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka dalë me një qëndrim të ashpër kundër Gjykatës Speciale, duke kërkuar publikisht ndalimin e financimit të saj.
Në një postim në platformën “X” (ish-Twitter), Grenell akuzoi këtë institucion për prirje politike dhe shpërdorim të miliarda dollarëve. “Ndalni fondet për këtë gjykatë! Është gjithçka politikë. Miliarda janë shpenzuar dhe shpërdoruar,” shkroi ai.
Reagimi i tij vjen pas një postimi që përfshinte imazhin e kryeprokurores së Gjykatës, Kimberly West, dhe prokurores tjetër Silvia D’Ascoli, të cilat kishin pëlqyer një koment kritik ndaj ish-presidentit Trump. Kjo, sipas Grenell, tregon për politizimin e institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare.
Grenell ka qenë prej kohësh një kritik i hapur i Gjykatës Speciale në Hagë, e cila gjykon krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e ka akuzuar këtë gjykatë për pengim të përpjekjeve për paqe në Ballkanin Perëndimor dhe ka kërkuar rishikimin e funksionimit dhe financimit të saj.
Në muajin mars, Grenell reagoi gjithashtu ashpër ndaj vendimit për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij, duke e quajtur këtë vendim çnjerëzor dhe të pajustifikueshëm.
Qëndrimet e Grenell pasqyrojnë një linjë kritike ndaj institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë që, sipas tij, janë të njëanshme dhe të motivuara politikisht.