Ori Hoxha, 25 vjeçari që po specializohet në fushën e teknologjisë në SHBA ka ndërmarrë një nismë bashkë me kolegë të tjerë shqiptarë në Amerikë. Kreativiteti dhe mendimi jashtë kornizave, janë pjesë e programit të formimit për gjimnazistët në Shqipëri.
Pasionin për shkencat natyrore dhe vullnetin për të punuar fort në këtë drejtim e zhvilloi gjatë gjimnazit. Shtatë vite më parë Ori u pranua në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, ku filloi studimet për Bioinxhinieri. 4 vitet e shpenzuara në Berkeley, i hapën imagjinatën se çfarë shumëllojshmërie ngjyrash e ardhmja mund të kishte për çdo njeri që ka vendosmërinë për t’i parë ato.
Ori thotë për Businessmag se, “Përveç se u thellova në punë kërkimore shkencore, në Berkeley – një nga dy shkollat, së bashku me Universitetin Stanford, të cilat furnizojnë më së shumti kompanitë e teknologjisë dhe iniciativat e reja të sipërmarrjes në Silicon Valley – unë u rraha edhe me praktika të përditshme të mendimit kritik, të të parit me skepticizëm të status quo-së në çdo gjë rreth nesh e me diversitetin në tërësi. Këto vlera mendoj se e dallojnë një arsim cilësor dhe është pikërisht aplikimi i këtyre parimeve që e dallon sot Silicon Valley-n katërcipërisht nga çdo pjesë tjetër e botës, si nga aspekti ekonomik po ashtu edhe nga ai social”.
Me programin Code for Albania, në bashkëpunim me Code.X, grupi i të rinjve nuk duan të sjellin thjesht një tjetër bootcamp programimi në Shqipëri, por një program substancial që do të trajnojë liderët e së nesërmes në fushën e teknologjisë si të mendojnë dhe si t’i aplikojnë aftësitë e tyre teknike në realitetin shqiptar.
Sipas tij, “qëllimi është të ushqehen sadopak disa vlera që duket sikur mungojnë në kurrikulat arsimore shqiptare, e në shoqëri në tërësi. Ekipi i AlphaPlan përbëhet nga individë që kanë studiuar në disa nga shkollat më me emër në botë, si CALTECH, apo edhe shumë universitete europiane qoftë në Itali, Zvicër, Gjermani e Turqi. Të gjithë ne kemi vënë re një ndryshim thelbësor në mënyrën se si arsimi trajtohet në këto institucione e se si trajtohet në vendin tonë”.
Shpesh në Shqipëri i kushtohet vëmendje shumëllojshmërisë së informacionit pa u fokusuar tek mënyra se si arrihen përfundime të ndryshme: një teoremë matematike apo një analizë letrare. “Kjo na bën që të mos zhvillojmë cilësinë e të menduarit kritik, apo të aftësisë për të transferuar kapacitetin mendor të zhvilluar në X situatë, në situatën Y një moment tjetër, duke krijuar një vakum kreativiteti,” thotë Ori.
Me Code for Albania, pritet të trajtohet një kurrikul që është zhvilluar në bazë të disa klasave bazë në Universitetin Stanford – një pjesë nga departamenti i Shkencave Kompjuterike dhe pjesa tjetër nga Instituti i Dizanjit. Departamenti i Shkencave Kompjuterike në Stanford për shumë vite tashmë renditet si numri 1 në botë, pasi individët që diplomohen aty mendojnë jashtë kornizave dhe bëjnë diferencën me mënyrën se si i aplikojnë njohuritë e tyre në fushë.
Ndërkohë, Instituti i Dizanjit i Stanford është një institucion unik në botë, një institut dizenjimi idesh, ku në çdo klasë sfidohet status quo-ja e ku mësuesi vetë ndërvepron në mënyrë aktive me studentët për të arritur në përfundime të reja, më të mira.
“Një kombinim i aftësive të tilla, për 2 javë rresht, në formatin e një kampi veror, me 8 orë mësimi interaktiv në ditë, besojmë se do të shtojë shumë vlerë tek gjimnazistët shqiptarë, pjesë e programit. Vërtetë besoj se ata do të përfitojnë një mënyrë të re mendimi dhe do të arrijnë një pikë ku në vend të pamundësisë të shikojnë alternativa për t’i kthyer në favorin e tyre në shoqërinë shqiptare.”
Puna ka filluar tashmë dhe në programin e të rinjve janë përfshirë edhe mbështetës nga Universiteti Epoka, Softmogul, Gjirafa dhe Bashkia e Korçës. Ori tregon se edhe shumë individë po kontribuojnë personalisht, financiarisht, për të mbuluar kostot e programit, në formë bursash për individët pjesëmarrës në pamundësi ideale ekonomike.
“Është shumë e rëndësishme për ne të ketë një kohezion në aspektin socio-ekonomik. Ndërsa lidhur me qëndrueshmërinë, në planin afatgjatë ne i kemi sytë te lidhjet e alphaPlan me diasporën shqiptare. Pas vitit të parë të programit do të krijojmë kontakte direkte midis pjesëmarrësve në program dhe profesionistëve shqiptarë në Silicon Valley dhe më gjerë”.
Burimi origjinal këtu: