Mjaftoi një vizitë si turist në vitin 1998 që Arlind Rexhepaj të braktiste Italinë ku jetonte prej gjashtë vitesh për tu zhvendosur po atë vit në Australi. Sot është një ndër fotografët shqiptarë më të suksesshëm atje dhe fitues i një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare dhe njihet me emrin e artit Ari Rex.
Një pasion i kultivuar tashmë profesioni i tij i fotografit dhe siç thotë vetë Ari nuk ia priste mendja se ajo që ishte hobi i tij, do të shndërrohej në shkollim e sot profesion.
Një nga punimet e tij fantastike është blerë për muzeun e përhershëm “Voices” në tavanin e Arkivit Nacional të Australisë në Kanberra. Çmimi i tij më i fundit është ai i “International Photography Awards” që ka marrë para pak javësh me foton e tij “Blak Mountain”, fenomeni i mrekullueshëm i rrufeve mbi atë vend.
Në këtë intervistë për “Diaspora Shqiptare”, fotografi shqiptar në Australi flet për sukseset e tij, dashurinë për botën e mrekullueshme të yjeve dhe planet për të ardhmen ku përfshihet dhe Shqipëria.
INTERVISTA
Ari prej sa kohësh jetoni në Australi dhe cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur?
Unë erdha ne Australi më 8 Gusht të vitit 1998 për një vizitë turistike nga Italia ku jetoja prej 6 vjetësh. Në nëntor të po atij viti u shpërngula këtu përgjithmonë.
Përveç largësisë ndaj familjes dhe miqve që ndodhen larg nuk kam patur ndonjë vështirësi të madhe jete këtu, gjëra të zakonshme si p.sh gjuha në fillim ishte pak vështirë por nga miqësitë vendase që formova në fillim më ndihmoj shumë ta përvetësoja atë shpejt.
Si nisi karriera juaj si fotograf? Një pasion i lindur apo i kultivuar?
Mund të them që fotografia ka qenë një pasion i kultivuar, ajo ka qenë gjithmonë një hobi për mua, në fakt nuk e mendoja kurrë se një ditë kjo do të ishte puna ime me të cilën do të ushqehesha. Në vitin 2011 u shpërngula nga Melburni të jetoja në Kanberra, këtu nuk njihja shumë njerëz dhe kisha mjaft kohë ta ushtroja më shumë këtë hobi. Këtu u pranova dhe në shkollën përkatëse ku pas tre vjetësh, në 2016-tën mora diplomën a avancuar të fotografisë.
Ju jeni fitues i disa çmimeve në fotografi, dhe së fundmi një prej fotove tuaja është përzgjedhur në Arkivën Kombëtare të Australisë. Na tregoni pak për sukseset tuaja.
Po, është e vërtetë, kam pasur fatin që puna ima të jetë vlerësuar shumë herë këtu në Australi dhe në kompeticione ndërkombëtare. Për t’u përmendur janë çmimi i parë në botë për “Astrofotografi profesional“ vitin e kaluar dhe ai me i madhi i “Fotografit profesional të natyrës 2020” në një nga kompeticionet më të mëdha të fotografisë në botë “International Photography Awards” që mora para disa javësh.
Shumë prej punëve të mia janë blerë nga institucione të ndryshme private dhe shtetërore, një prej këtyre punëve është blerë për muzeun e përhershëm “Voices” në tavanin e Arkivit Nacional të Australisë këtu në Kanberra.
Keni eksperimentuar me portrete, natyrë. Kë keni më për zemër?
Po, është e vërtetë, unë kam punuar në zhanre të ndryshme të fotografisë. Por nga që më pëlqen të kem lidhje me njerëzit dhe natyrën, te këto dy zhanre e kam përqendruar më shumë punën time. Portrete dhe natyrën, sidomos atë të rrugës së qumështit.
A keni ndonjë projekt të afërt? Ndonjë projekt dhe për Shqipërinë?
Unë ndjek disa projekte kreativo artistike dhe sigurisht që ato kanë lidhje edhe me Shqipërinë. Kam një projekt të madh që ka lidhje me Shqipërinë por nga që jam akoma në faze përgatitjesh, atëherë preferoj të mos flasë shumë për të, le ta lemë pak enigmë për ata që ndjekin punën time.
Përsa i përket jetës suaj atje, a njihni shqiptar të tjerë. Sa i lidhur është komuniteti shqiptar në Austral?
Këtu në Australi komunitetet shqiptare janë të koncentruara më tepër në Melburn dhe Adelaide. Kam shumë të njohur në Melburn ngaqë jetoja atje dhe kontaktet i kemi ruajtur. Këtu në Kanberra nuk ka shumë shqiptar por para dy javësh kur zoti Edmond Trako (ambasadori i Shqipërisë) ngriti flamurin e ambasadës së parë shqiptare në Australi, ajo u bë shkasë që së bashku me gruan time u njohëm me disa shqiptarë të tjerë që jetojnë këtu afër nesh. Ne kemi filluar të takohemi disa herë me njëri-tjetrin në këtë komunitet të vogël tonin që po fuqizohet dita ditës.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.