Në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Filadelfias, Jim Kenney, në këtë ceremoni merrnin pjesë Përfaqësuesja e Qytetit të Filadelfias (City Representative), zonja Sheila Hess dhe menaxheri i Veprimtarive dhe Projekteve Speciale po në të njëjtin department, z. Robert Nonemacker. Që në çastet e para të takimit tonë, zonjat Hess shprehu befasinë e saj të këndshme, që edhe përkundër rrethanave, kufizimeve, numri i pjesëmarrësve ishte i lakmueshëm. Ceremoninë e hapi zoti Sadik Elshani, i cili u uroi të pranishmëve 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe bëri disa njoftime lidhur me programin dhe specifikat e kësaj veprimtarie: mbajtjen e maskave dhe distancën sociale. Pastaj fjalën e mori z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Nga zyra përkatëse e Bashkisë na kishin njoftuar se këtë vit nuk do të ketë program e as fjalime, prandaj edhe z. Gjoka nuk u zgjat në fjalën e tij, por pasi i uroi bashkatdhetarët për Festën tonë Kombëtare dhe i falenderoi ata për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme, ai i tha edhe disa fjalë për 28 Nëntorin dhe vendin që zë kjo datë në historinë tonë kombëtare. Pastaj u luajtën himnet kombëtare të ShBA-ve dhe Shqipërisë. Gjatë këndimit të Himnit tonë Kombëtar në shtyllë ngrihej flamuri Kuq e Zi, flamuri i shqiptarëve. Për të ngritur flamurin këtë vit u nderua z. Haki Çollaku, veprimtar i dalluar e i palodhur i shoqatës dhe i bashkësisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias. Sipas programit e procedurave të qytetit të Filadelfias për veprimtaritë publike nën rrethanat e pandemisë, zonja Hess nuk mbajti fjalim sikurse herëve të tjera, por ajo vetëm i dorëzoi zotit Gjoka Proklamatën me të cilën kryebashkiaku i Filadelfias e nderonte Shqipërinë në përvjetorin e saj të pavarësisë dhe e shpallte ditën e premte, 27 Nentor, 2020 që të jetë dita e nderimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në Filadelfia. Ndër të tjera në tekstin e Proklamatës lartësohej historia e Shqipërisë, miqësia shqiptaro – amerikane dhe vlerësohej puna e ndihmesa e shqiptarëve në zhvillimin e përparimin e Filadelfias, duke sjellë kulturën e tyre, vlerat e larta kombëtare e njerëzore.
Pas këtyre fjalimeve të rastit përsëri edhe për disa çaste jehoi kënga dhe vallja shqiptare. Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqim të mjaftueshëm (bollshëm) e të shijshëm. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit të kaluar. E falenderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.
Kështu edhe këtë vit, në rrethana të modifikuara e të kufizuara, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit në Bashkinë e Filadelfias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin tonë në qytetin ku u shpallë pavaresia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund ta mbyllim këtë shkrim pa i shprehur falenderimet dhe mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetit të Pennsylvanias dhe qytetit të Filadelfias që na kanë pranuar si qytetar të lirë e të barabartë, ku jetojmë, punojmë, studiojmë, rrisim familjet tona dhe me krenari e ngrehim flamurin tonë Kuq e Zi. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gezuar 28 Nëntorin! Ndërsa Shqipërisë sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi. Illyria
Nga Sadik Elshani