Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi këtë fundjavë organizoi në qytetin e Selanikut, takimin e radhës në kuadrin e nismës “E ardhmja e komunitetit, bashkëpunimi dhe njësimi i përfaqësimit të tij”.
Takimi i mundësuar me ndihmën e Lidhjes së Βiznesmenëve Greko-Shqiptarë të Greqisë së Veriut, u zhvillua në ambjentet e Dhomës Tregtare të Selanikut, duke respektuar protokollin e masava anti covid.
Pjesë e këtij takimi ishin drejtuesit e shoqatave dhe organizatave “Nënë Tereza”, “Lidhja e Biznesmenëve Greko-Shqiptarë të Greqisë së Veriut”, “Progresi”, “Ura e Miqësisë”, “Lidhja e Intelektualëve dhe Studentëve Shqiptarë në Greqi”, “Dega e Blertë” dhe “Zëri i Emigrantit Selanik”.
E pranishme në këtë takim ishte gjithashtu dhe znj. Aurela Konduri, oficere koordinuese për çështjet e Diasporës në Greqi.
“Falenderojmë përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që kontribuan në mbarëvajtjen e kësaj nisme. Vazhdojmë me premtimin që do kontaktojmë çdo shoqatë apo organizatë shqiptare në Greqi për të shpalosur vizionin e nismës tonë”, thuhet në njoftimin e aktivitetit.