Anila Erindi, aktiviste shqiptare në Montreal të Kanadasë ka disa vite që në fillim të shtatorit bën një ritual të bukur, viziton statujën e nobelistes shqiptare, Nënë Tereza, ku bëhet bashkë edhe me shumë shqiptarë të tjerë, të cilët, duke kujtuar këtë grua të madhe shqiptare, kujtojnë rrënjët nga ata vijnë. Ajo për gazetën “Diaspora Shqiptare” shprehet: “Tek monumenti i Nënë Terezes, në këtë ditë përkujtojmë ditën e lindjes së shenjtores dhe ditën e largimit fizik të saj nga kjo jetë, pasi ajo u largua vetëm fizikisht dhe shpirti, vepra e saj janë mes nesh.
Ky homazh është bërë tashmë traditë për shqiptarët e Montrealit, të cilët janë krenarë të vizitojnë monumentin e Nënë Terezës”. “Ishte kënaqesi- thekson ajo- të dëgjoje shqip, të diskutoje shqip, edhe të qeshje shqip edhe nën maskë. Njerëzit në rrugë kalonin dhe ndalonin kuriozë, çdo të jetë vallë ky grumbullim, edhe ata dëgjonin Nënë Tereza ishte shqiptare dhe po festojmë për emrin e asaj shenjtoreje të mbarë njerëzimit.”
Kjo ceremoni e thjeshtë dhe shumë kuptimplote e mbushur me emocione përpara monumentit te Nënë Terezës, këtë vit u organizua nga Bashkësia Shqiptare e Kebekut në Montreal, Shoqata Kulturore Shqiptare e Montrealit dhe Shoqata Shqiptare “Kosova” në Montreal. Nderuan me pjesëmarrjet e tyre edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Muça dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Adriatik Kryeziu. Të dytë iu bashkuan komunitetit shqiptar në ceremoninë tashmë tradicionale të shqiptarëve të këtushëm.
Në një deklaratë për gazetën “Diaspora Shqiptare”, njëri nga organizatorët e kësaj ngjarjeje, kryetari i Bashkësisë Shqiptaro të Kebekut në Montreal Noel Dedja tregon i lumtur se “takimi i sotëm kaloi shumë mirë. Pjesëmarrja ishte e madhe, sidomos në rrethanat pandemike në të cilat ndodhemi në këtë moment. Unë pata kënaqësinë t’i prezantoj ambasadorët, të falënderoj pjesëmarrësit si dhe z. Hysni Marku, i cili kontribuoi jashtë mase në organizimin e sotëm. Më pas, vazhdova me recitimin e disa rreshtave të shkruara nga e shenjta Nëne Tereza. Sipas meje, fjalët e saj nëpërmjet poezisë “Himni i jetës” ishin më kuptimplota dhe domethënëse se çdo fjalë që mund të kisha thënë unë apo dikush tjetër. Kjo poezi është gjithashtu shumë aktuale në kontekstin e sotëm: “Jeta është një shans, kape. Jeta është bukuri, adhuroje. Jeta është bekim, shijoje. Jeta është ëndërr, bëje realitet. Jeta është sfidë, përballoje. Jeta është detyrë, kryeje. Jeta është lojë, luaje. Jeta është e çmuar, kujdesu për të. Jeta është pasuri, vlerësoje. Jeta është dashuri, jetoje. Jeta është mister, zbuloje Jeta është premtim, mbaje. Jeta është trishtim, kaloje. Jeta është himn, këndoje. Jeta është luftë, pranoje. Jeta është aventurë, rrezikoje. Jeta është jetë, mbroje.”
Dedja thekson se “patëm dhe kënaqësinë të dëgjonim dy këngë në kujtim të Nënë Terezes nga partrioti Mehdi Isufi, i cili kishte ardhur posacërisht nga Granby. U vunë gjithashtu disa kurora me lule në emër të ambasadave tona si dhe të shoqatave dhe të shqiptarëve të Montrealit”.
Duke përshëndetur përzemërsisht të pranishmit, ambasadori Muça u shpreh se Nënë Tereza është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kufi, pa kushte dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan dhe në nevojë, pa dallim kombësie, race, besimi apo përkatësie shoqërore. Krahas misionit të saj të paqtë, sa human aq edhe hyjnor, ajo asnjëherë nuk reshti së kujtuari e shprehuri gjithmonë, origjinën e saj shqiptare. Ambasadori Muça kujtoi me mirënjohje angazhimin e të gjithë atyre bashkëatdhetarëve që kanë kontribuar për vendosjen e statujës së Nënë Terezës në këtë shesh të Montrealit.
Edhe ambasadori i Kosovës z. Adriatik Kryeziu, në fjalën e tij e theksoi atributin e saj plot dashuri e dhembshuri, e cila një jetë të tërë ia dedikoi bamirësisë dhe njerëzve në nevojë. Duke konstatuar se kombi ynë vazhdon të njihet edhe më mirë në sytë e botës me figura të tilla si Nëna Terezë, kërkoj nga të pranishmit që me përkushtim dhe krenari të vazhdojmë ta lartësojmë, kujtojmë e parasë gjithash të ndihemi krenarë që kemi patur fatin për ti dhënë botës një emër-shenjtorë kaq të madhe.
Të dy ambasadorët falënderuan Bashkësinë Shqiptare të Kebekut, Shoqatën Kulturore Shqiptare dhe Shoqatën Kosova si edhe të gjithë drejtuesit aktualë dhe të mëparshëm, aktivistët dhe intelektualët që ndër vite kanë kontribuar me përkushtim e dashuri për të mbajtur gjallë gjuhën, zakonet dhe traditat tona të kombëtare, qoftë duke kujtuar njerëzit si Nënë Tereza, qoftë duke kujtuar ditët tona kombëtare.