Syri i Sheganit është një nga monumentet natyrore që ka marrë vëmendjen e shumë qytetarëve dhe turistëve gjatë dy viteve të fundit. Ai është një burim i madh karstik që gjendet në afërsi të fshatit Kosan, në rrethin e Malësisë së Madhe, në pjesën lindore të Shkodrës.
Më shumë se 20 vite më parë kjo zonë në liqenin e Shkodrës shërbeu për kontrabandën e naftës në drejtim të ish Jugosllavisë, ndërsa sot është kthyer në një nga pikat më atraktive që ka liqeni i Shkodrës.
Bashkia e Malësisë së Madhe është duke menduar që këtë pikë ta bëjë sa më të aksesueshme për turistët sidomos ata të huaj nga të cilët ka marrë një vëmendje të madhe.
Syri i Sheganit është shpallur monument natyre i kategorisë së tretë që në vitin 2002 dhe për këtë administrata e zonave të mbrojtura kërkon që ajo zonë të mos dëmtohet nga dora e njeriut.
Bukuritë e këtij vendi mund të shëtitën me varkë apo në këmbë përreth tij. Natyra rreth këtij burimi natyror të magjepsë dhe krijon një panoramë unike, me tërësinë e bimëve të njoma dhe e drurëve me gjethe si dhe me ajrin e pastër.
Syri i Sheganit ndodhet jo më shumë se 32 km larg nga Shkodra e për të mbërritur deri atje duhet të ndiqet itinerari Shkodër-Koplik-Ivanaj-Gashaj, Kosan. Nga rruga nacionale Shkodër-Koplik ndiqet rruga dytësore në gjendje jo të favorshme për mjetet e ulëta e cila ndodhet në në krahun e majtë pranë zonën e Bajzës.