Këtë të premte në Tiranë, në mjediset e QSPA-së, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit midis Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) dhe Ministrit të Shtetit për Diasporës.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u krye nga kryetari i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Marenglen Verli, drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, prof. Diana Kastrati, si dhe nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko.
Ky memorandum bashkëpunimi vjen në vazhdën e një sërë marrëveshjeve institucionale të ndërmarra nga QSPA-ja, me qëllim krijimin e infrastrukturës së nevojshme për kërkimin shkencor, si dhe rrjetëzimin e kontakteve dhe literaturës së nevojshme për studimin e thelluar të historisë, kulturës dhe letërsisë arbëreshe.
Memorandumi i firmosur sot mes tri institucioneve, synon koordinimin e studimeve për kulturën e komunitetit arbëresh, bashkëpunimin ndërinstitucional që parashikon realizimin e studimeve të përbashkëta, organizimin e aktiviteteve studimore, si dhe krijimin e grupeve të punës për aplikimin në projekte të përbashkëta.
Pikë me rëndësi e këtij memorandumi ishte edhe dhurimi i rreth 140 titujve të librave studimorë të botuara ndër vite nga Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë.