Indri Qyteza, është një aktor i njohur me famë ndërkombëtare, i lindur në Shkodër, i cili u zhvendos në fëmijëri në Itali, ku u rrit dhe studioi.
Familja e Indritit ka një kontribut të madh artistik. Gjyshi i tij ishte aktori i njohur shqiptar Bep Shiroka, babai i tij Aleksander Qyteza ishte drejtori muzikor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.
Në një intervistë për “Në Radio“, Indri tregoi më shumë rreth jetës së tij artistike dhe familjes së tij.
Teksa kthehet pas në kohë, duke kujtuar kohën e studimeve, Indri tregon se si gjatë gjithë kohës ka pasur dëshirën që të ecë në gjurmët e gjyshit të tij, aktorit të njohur Bep Shiroka.
“Megjithëse vazhdova studimet për infermieri gjithmonë kam dashur të ndjek gjurmët e gjyshit. I thashë dhe familjes dhe ishin dakort. Mendova të bej timen, mbarova universitetin por po ndjek ëndërrën time. Më vonë nisa studimet për art. Mbarova, u diplomova. Shkova në Romë dhe provova të hy në një nga shkollat më të rëndësishme në të gjithë botën. Aty shkoi mirë. Nga 1400 vetë që ishin në fillim, unë hyra në atë në 27 personat e parë,“- shprehet Indriti.
Ai tregon edhe mbi rezistencën e gjyshit të tij, që Indri të vazhdonte rrugën e artit, ndonëse në prezantimin e parë për publikun nuk e mohonte faktin se në cdo shfaqje ka pasur dëshirë që të ishte present për të parë sukseset e tij.
“Gjyshi ka ndërruar jetë duke u munduar me të gjitha mënyrat për të mos më lënë të vazhdoj rrugën e tij. Ai ishte totalisht kundër. Emocion që unë kujtoj gjithmonë, fakti që dëshiroja të ishte aty e që të më shihte. Ai emocion nuk fshihet kurrë,“- tregon Qyteza.
Praninë e figurës së aktorit Bep Shiroka në jetën e tij, Indri e konsideron si një lidhje tejet të veçantë, teksa përmend anën personale dhe profesionale.
“Figura e tij nga pikëpamja personale ka qenë tepër e madhe në jetën time. Gjithmonë kemi pasur një lidhje shumë të veçantë. Në rastin tim, përtej të qenurit gjysh i mrekullueshëm, sigurisht që ka qenë edhe ajo jehona që ka pasur si artist, si aktor i madh. Sigurisht, që e kam pasur idhull. Gjithmonë më merrte me vete në prova tek teatri Migjeni. Jam rritur në atë vend. Aty besoj se ka lindur brenda meje ajo dëshira për të provuar edhe unë për tu ngjitur në atë skenë. Sa i përket anës profeisonale, unë uroj të bëhem sa gjysma e tij,“- tregon mes emocionesh Indriti.
Indri u diplomua në arte dramatike në akademinë Teatro Azione në Romë. Pas diplomës, menjëherë nisi të punojë me regjisorë të rëndësishëm si Cosimo Alemà, në Itali, Pluton Vasi, në Shqipëri. Ai vazhdon të punojë midis Kinemasë, TV dhe teatrit.