Në Ditën Ndërkombëtare të Grave në Inxhinieri Departamenti i Shkencës dhe Inxhinierisë në Universitetin e Oksfordit, i ka kushtuar një hapësirë promovuese punës së inxhinieres nga Kukësi, Arta Cika.
Në një postim në rrjetet sociale, Departamenti i Shkencës Inxhinierike në Universitetin e Oksfordit shkruan:
Hulumtimi i kandidates së DPhil (Doktor i Filozofisë) Arta Cika përqendrohet në modelimin dhe analizën e rrjeteve mobile ad-hoc, të cilat janë veçanërisht të dobishme për sigurimin e lidhjes pa telefon në pasojat e një katastrofe.
Ajo thotë se “Kërkimi është një detyrë sfiduese dhe komplekse. Të mësuarit ndonjëherë mund të jetë një proces i vështirë, me ulje-ngritjet e tij. Pas gjithë punës së palodhur, pjesa më e kënaqshme e punës sime është të shoh idetë e mia të vijnë në jetë.”
Arta është e përfshirë në promovimin e grave në STEM (science, technology, engineering and mathematics). Ajo është anëtare e komitetit ne shoqatën e grave në fushën e inxhinierisë në Universitetin e Oksfordit dhe pjesë e Programit RisingWISE (Gratë në Shkencë dhe Inxhinieri).
Ajo ka rol drejtues në “Women in Engineering Society” në Universitetin e Oxfordit ku organizojnë shumë evente në Oxford dhe qytetet rreth e rrotull për të promovuar gjininë femërore.
Aktualisht, Cika po kryen hulumtime në fushën e teorive të informacionit, rrjeteve hapësinore dhe entropinë grafike pranë Univeristit të Oksfordit.
Hulumtimi i saj përqendrohet në modelimin dhe analizimin e rrjeteve ad hoc. Arta ka dy diploma Masteri Shkencor në Inxhinieri Informacioni dhe në Inxhinieri Kompjuterike nga Politekniku i Torinos dhe Telecom ParisTech në 2015-ën.
Para fillimit të doktoraturës, ajo punoi në një kompani telekomunikacioni në Francë. Arta është fituesja e bursës “IRCN” dhënë nga Universiteti i Tokios.
Para një viti, ajo u përzgjodh për të marrë pjesë në Shkollën Verore të Sistemeve Komplekse (CSSS) në Institutin Santa Fe, NM, SH.B.A.
Në vitin 2019, është përzgjedhur në 100 gratë e “TechWoman100” në Angli. Pasi u vlerësua me këtë çmim, ajo ka vendosur t’ia dedikojë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri.