Qendra e Botimeve për Diasporën në vazhdimësi të mbledhjeve të organizuara online me përfaqësuesit e mësuesve në Diasporë, me qëllim marrjen e informacionit dhe njohjen e problematikave të mësimdhënies në Diasporë, të lindura nga situata e re dhe jo vetëm, zhvilloi mbledhjen me mësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në Suedi dhe Finlandë.
Në takim morën Xhevat Isufi mësues në Ängelholm të Suedisë, Murat Koçi e Sinan Kastrati mësues në Malmö të Suedisë dhe Ragip Kçiku mësues në Espoo-Helsinki të Finlandës.
Të pranishmit sollën përvojën e arsimit në vendet skandinave, të cilat kanë një qasje mbështetëse ndaj gjuhës dhe kulturës së të ardhurve nga vendet e tjera, metoda të përparuara arsimimi e integrimi dhe një organizim të financuar për gjuhët amtare përmes institucioneve shtetërore. Ata diskutuan gjithashtu nevojën e mbështetjes nga vendi amë, sidomos në ofrimin e teksteve cilësore, të mirëmenduara në përshtatje me nevojat e komunitetit shqiptar në diasporë dhe në përputhje me kërkesat e kohës.
Ndër të tjera u diskutua mbi mënyrën e organizimit të mësimit të gjuhës shqipe në Suedi e Finlandë, për risitë dhe nevojat e atjeshme; domosdoshmërinë e hartimit të një politike mbështetëse promocionale për promovimin e gjuhës shqipe jashtë vendit, si një mënyrë nxitëse themelore për ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar në diasporë dhe shmangien e asimilimit të tij në vendet pritëse; rëndësinë e përdorimit të platformës digjitale në mësimdhënie; organizimin e trajnimeve të mësuesve të gjuhës shqipe për rritjen e tyre profesionale përshtatshmërisht me nevojat e mësimdhënies në diasporë; nevojën e hartimit të teksteve të përshtatshme dhe cilësore për mësimdhënien e gjuhës shqipe si një gjuhë e dytë; pjesëmarrja e nxënësve në shkollat ku mësohet shqip dhe vijueshmëria e kësaj pjesëmarrjeje etj.
Pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë e përcjelljes së përvojave, vlerësuan mundësinë e pajisjes me fjalorë dygjuhësh e literaturë plotësuese në ndihmë të mësimdhënies dhe diskutuan mundësitë e ofruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Në mbyllje të këtyre takimeve të realizuara online me mësuesit e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë, Qendra e Botimeve për Diasporën po përgatit një relacion të detajuar, me qëllim marrjen e masave dhe hartimin e një politike mbështetëse dhe bashkëpunimi me shkollat shqipe në diasporë.