Duke ndjekur nga larg zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe ngërçin në Reformën Zgjedhore do të doja të ndaja më lexuesin disa nga argumentat e mia mbi rëndësinë e miratimit të së drejtës së votës për Diasporën shqiptare.
Sigurisht që kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë edhe pse personalisht jam shtetas që gëzoj të dy shtetësitë si atë shqiptare, ashtu dhe atë turke. Komuniteti shqiptar që përfaqësoj, ashtu si dhe komunitete në vende të tjera të botës përfaqësojnë një numër të ndryshëm të kategorive të emigrantëve ku një pjesë prej tyre, pavarësisht se janë shqiptarë, nuk kanë një shtetësi zyrtare shqiptare, sikundër kemi një kategori tjetër pasi me ndryshimet politike dhe hapjen e kufijve në vitet 1990 e këtej kemi një numër relativisht të madh të shtetasve të Republikës së Shqipërisë të cilët kanë ardhur në Republikën e Turqisë ku jetojnë dhe punojnë, madje një numër i madh i tyre sot disponojnë edhe shtetësinë turke.
Dihet se në një demokraci përfaqësuese vota është një e drejtë e gjithsecilit për të shfaqur mendimin e tij në kohën kur mbahen zgjedhjet. Ky mendim përkthehet në votë dhe vota delegohet në përfaqësim të vullnetit politik që ka gjithsecili. Pra, përmes votës individi përcjell vullnetin e tij dhe kërkon të përfaqësohet në qeverisje.
Në këndvështrimin tonë zgjedhjet në Shqipëri duhet të shërbejnë për vendosjen e ekuilibrave të duhur në politikën shqiptare, në mënyrë që vendi të njohë stabilitet të brendshëm dhe përfaqësim, në rritje të shkallës së përgjegjësisë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe çështjet e tyre kudo ku janë, si dhe për rritjen e mirëqenies së tyre sociale.
Ne shqiptarët e Turqisë, si një nga komunitetet më të vjetra dhe më të mëdha që ka Shqipëria në Diasporë kemi shprehur dhe dëshirojmë që shqiptarët duhet të shkojnë pa përjashtim në zgjedhje. Çdo palë zgjedhje, qofshin parlamentare apo lokale, duhet të ndërgjegjësojnë popullin për rëndësinë e tyre. Kështu, mazhorancat qeverisëse do të jenë më konstruktive dhe të pranueshme, pasi shumica e shqiptarëve do të dalin në zgjedhje. Në të gjitha vendet Perëndimore, konstatohet se në çdo datë zgjedhjeje ka një pjesëmarrje në zgjedhje mbi 80 për qind. Kjo tregon se një popull i kulturuar duhet të shkojë në votime; një shoqëri demokratik duhet të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes së ti.
Ashtu, si e theksova në fillim, duke marrë parasysh rëndësinë e votës, dhe përpjekjen e fundit të qeverisë shqiptare për të rritur nivelin e përfaqësimit politik në vend duke synuar kodifikimin e saj me pjesëmarrjen e Diasporës shqiptare me të drejtë vote, nisur nga fakti që një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë në emigracion, lind çështja nëse duhet të marrin pjesë të gjithë në procesin elektoral. Të zgjedhin dhe të Zgjidhen. Kjo sigurisht që hap një debat të brendshëm për të cilin nuk mund të parashikoj përfundimin e rezultatit të tij. Edhe pse ky debat sot është i hapur nisur edhe nga fakti që mbi një vit përpara kjo çështje është diskutuar në një tryezë në Parlamentin e Shqipërisë ku merrnin pjesë shumë aktorë vendimarrës ose jo, madje dhe organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë që merren me zgjedhjet ku Ministri për Diasporën z. Pandeli Majko u shpreh se do të bëhen të gjitha përpjekjet për regjistrimin e shtetasve shqiptarë jashtë kufijve si dhe për mundësimin e votës për ta, një proces për të cilin ai me të drejtë kërkoi dhe bashkëpunimin e opozitës në vend.
Ndaj në këtë kontekst duke shprehur angazhimin e komunitetit tonë ne kemi vijuar takimet tona me aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare konkretisht me Institutin e Çështjeve Kombëtare në Tiranë dhe me personalitete të tjera të njohur në jetën publike të Shqipërisë për të pasur një opinion për të kuptuar më shumë mbi ketë proces, standardet dhe praktikat në vende të tjera të BE, për domosdoshmërinë e prezencës sonë në zgjedhjet shqiptare. Duke qene se vota është një detyrim qytetar, detyrim kombëtar, detyrim kushtetues, detyrim emancipues, do të thoja se një votë masive, një pjesëmarrje e gjerë do të sjellë veçse pozitivitet.
Institucionet e Shqipërisë duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme nga për t’ua mundësuar qytetarëve të saj me banim jashtë vendit ushtrimin e një të drejte që ua garanton Kushtetuta. Ka ardhur koha që Diaspora të jetë kontribuese e drejtpërdrejtë në zhvillimin e demokracisë së Shqipërisë, e jo vetëm kontribuese ekonomike përmes remitancave. Por nisur nga larmia dhe problematika që mbart kjo çështje në kategorizimin e tyre pavarësisht dëshirës time të zjarrtë për të votuar dhe personalisht e realizoj këtë pa pasur nevojë për të miratuar një ligj të veçantë, problemi më i rëndësishëm është përfshirja e të gjithë atyre grupimeve që theksova më sipër, të asaj kategorie personash të cilët para ose pas ndryshimeve politike dhe hapjes së kufijve në vitet 1990 e këtej ku si rezultat i saj një numër relativisht i madh i shtetasve të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës kanë emigruar në vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë, madje shumica e tyre sot disponojnë edhe shtetësinë e shumë shteteve të botës. Si rrjedhim, këta shtetas në kushtet aktuale, duke mos pasur një vendqëndrim të përhershëm në Shqipëri, duke mos zhvilluar një jetë sociale në vendin amë, pasi nuk jetojnë dhe punojnë në këtë vend, nuk paguajnë taksa dhe detyrime të tjera, atëherë lind me të drejtë pyetja nëse kanë të drejtë të votojnë ose jo? Kjo mendoj se do të ishte zgjidhja e këtij ngërçi, për të parandaluar, pavarësisht dëshirës tonë, krijimin e tensioneve të panevojshme social-politike që mund të krijohen në vend për shkak të keqinterpretimit apo përdorimit politik të kësaj vote e për më tepër kur 1/3 e shtetasve shqiptarë me të drejtë vote nuk e ushtrojnë këtë të drejtë.
Ne jemi të bindur se Vota e Diasporës është një votë e mençur e kaluar përmes shumë mundimesh, sakrificash dhe dhimbje dhe si e tillë ajo ka dëshmuar se është pjesa më e përparuar e Shqipërisë dhe ka kontribuar për zhvillimin social ekonomik të saj. Në këto rrethana gjykoj se tani është përgjegjësi e klasës politike shqiptare të vendosë për përfshirjen ose jo të shqiptarëve të Diasporës në sistemin zgjedhor kombëtar me të drejtë vote konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe praktikave të mira, pasi zgjedhjet demokratike përbëjnë bazën për qeverisjen legjitime, sipas parimeve të OSBE, për përmirësimin e kornizës legjislative dhe administrative për zgjedhjet.
*Autori është kryetar i shoqatës “Vatra” në Stamboll, Turqi.