Pandemia e koronavirusit po nxit rritjen e ekonomisë përmes qëndrimit në shtëpi. Mënyra se si konsumatorët punojnë, blejnë dhe veprojnë është gati të ndryshojë përgjithmonë. Duket se, gjasat janë të larta edhe për konsumatorët në Shqipëri.
Preferencat e tyre janë zhvendosur drejt tregtisë elektronike dhe zbavitjeve, si dhe edukimit online për më shumë se një dekadë tashmë. Pandemia e COVID-19 ka qenë sidoqoftë një ndihmë për kompanitë që i shërbejnë ekonomisë përmes punës nga shtëpia, të cilat po shfaqin aftësi duke eksperimentuar njëkohësisht me ide të reja për të ndërtuar përshtatjen e markës.
Masat e marra nga qeveria për të frenuar përhapjen e coronavirusit në vendin tonë, penalizoi një sërë biznesesh, në sektorin e shërbimeve dhe me gjerë, dhe ndaloi qarkullimin e qytetarëve, duke bërë që edhe bizneset, në mungesë të xhiros, të vetëmbylleshin. Por në këtë situatë, duket se po lulëzojnë shitjet online.
Bizneset që shesin produkte online po marrin porosi dhe po funksionojnë normalisht, por ka edhe nga ato subjekte që kanë aktivitet fizik, por që këtë periudhë po reklamojnë dhe po ofrojnë më së shumti shitje online, duke iu përshtatur kufizimeve të qytetarëve, për ta bërë më të thjeshtë furnizimin e tyre me produktet që kanë nevojë .
Kjo mundësi ofrohet për produkte të ndryshme, që nga veshjet, produkte shtëpiake apo ushqimore, për ata qytetarë që duan të shmangin fizikisht supermaketet apo te dyqanet e tjera. Porosia e qytetarëve bëhet përmes faqeve zyrtare të internetit të këtyre subjekteve dhe pagesa aplikohet ose me kartë bankare ose cash, në momentin e dorëzimit.
Shembuj konkretë na vijnë edhe nga kompanitë amerikane të teknologjisë. Amazon ka punësuar që nga mesi i marsit 1 milion e 750 mijë punëtorë në Shtetet e Bashkuara për të përmbushur kërkesën e madhe për blerjet në internet.
Ndërsa Instacart, një kompani amerikane që ofron produkte ushqimore në SHBA dhe Kanada, deklaroi se shitjet u rritën 10-fish, dhe ishin 20 herë më të larta në Kaliforni dhe Uashington, ku virusi u përhap më herët.
Kompania gjithashtu po përdor koncepte të reja, inovative për të përmbushur më mirë nevojat e konsumtorit si dhe për të ofruar më shumë komoditet dhe siguri për shëndetin dhe mirëqënien e tyre, siç është opsioni për të lënë produktet e porositura të pragu i klientit në një kohë të caktuar, pa kontakt të drejtpërdrejtë./ Monitor