Mbrojini punonjësit tuaj si tani ashtu edhe pas lehtësimit të kufizimeve prej COVID-19 – këshillon Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO)
Sot në ditën botërore dedikuar Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, ILO paralajmëron se mosmarrja e masave të sigurta mbrojtëse për rikthimin e punëtorëve në punë mund të bëhet shkak për një valë të dytë në përhapjen e virusit.
“Ndërsa po shtohet presioni për lehtësimin e masave kufizuese në mjaft vende ne i kërkojmë qeverive të marrin masa për të parandaluar dhe kontrolluar COVID-19 në ambjentet e punës” thekson ILO duke shtuar se “të gjithë punëmarrësit duhet të bëjnë paraprakisht vlerësime te rrezikut dhe të sigurohen që ambjentet e tyre të punës të plotësojnë në mënyrë rigoroze kriteret për sigurinë dhe shëndetin në punë, me qëllim që të minimizohet rreziku i ekspozimit të punëtorëve ndaj COVID-19”, thotë ILO.
“Pa këto kontrolle, vendet do të përballen me rrezikun real të rigjallërimit të virusit. Marrja e masave të nevojshme do të minimizojë rrezikun e një vale të dytë të marrjes së infektimit në vendin e punës”, shton ILO.
“Siguria dhe shëndeti i të gjithë fuqisë tonë punëtore është i një rëndësie të jashtëzakonshme sot. Përballë shpërthimit të një sëmundjeje infektive, mënyra sesi i mbrojmë punëtorët tanë tani, dikton qartësisht se sa të sigurta janë komunitetet tona dhe sa të rimëkëmbshme do të jenë bizneset tona, ndërsa vazhdon kjo pandemi”, tha Drejtori i Përgjithshëm i ILO-s, Guy Ryder.
“Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave për sigurinë dhe shëndetin në punë ne mund të mbrojmë jetën e punonjësve, familjeve të tyre dhe komuniteteve më të gjera, mund te sigurojme vazhdimësinë e punës dhe mbijetesën ekonomike,” shtoi Ryder.
“Në veçanti, masat për mbajtjen nën kontroll të rrezikut duhet të përshtaten sipas nevojave specifike të punonjësve që ndodhen në frontin e parë të përballjes me pandeminë. Këtu bëjnë pjesë punonjësit e shëndetësisë, infermierët, mjekët dhe punonjësit e ndihmës së shpejtë, si edhe ata që shërbejnë në tregtinë ushqimore e në shërbimet e pastrimit”, theksoi ai.
ILO gjithashtu vuri në dukje nevojat e punonjësve dhe bizneseve më të cenueshëm, sidomos ato që punojnë në të zezë, si edhe migrantët e punëtorët që shërbejnë nëper familje.
Masat për mbrojtjen e këtyre punonjësve duhet të përfshijnë – mes të tjerash – edukimin dhe trajnimin për praktika të sigurta dhe të shëndetshme pune, sigurimin falas të pajisjeve mbrojtëse personale (PMP) sipas nevojës, ofrimin e shërbimeve të shëndetit publik dhe mundësive alternative për sigurimin e jetesës.
“Pandemia e COVID-19 nxori në pah nevojën urgjente për programe të fuqishme kombëtare për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e punonjësve dhe profesionistëve në fushën e mjekësisë, atyre të ndihmës së shpejtë, si dhe të shumë punonjësve të tjerë që vënë në rrezik jetët e tyre për ne,” tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH.
“Në Ditën Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, unë i bëj thirrje të gjitha vendeve të sigurojnë kushte pune të mirëpërcaktuara, të denja e të sigurta për të gjithë punonjësit e shëndetësisë”, u shpreh ai.
Për të mundësuar një rikthim të sigurt në punë dhe për të shmangur ndërprerje të mëtejshme të punës, ILO rekomandon hartëzimin e rreziqeve dhe vlerësimin e faktorëve që ndikojnë në përhapjen e infeksionit përgjatë të gjitha proceseve të punës dhe vazhdimin e këtij vlerësimi edhe pas rikthimit në punë.
Ndërmarrjen e masave për mbajtjen nën kontroll të rrezikut, të përshtatura sipas çdo sektori dhe specifikave të çdo vendi pune. Ndër to mund të përfshihen: Pakësimi i ndërveprimit fizik mes punonjësve, kontraktorëve, klientëve e vizitorëve dhe respektimi i distancimit fizik në rast ndërveprimi.
Përmirësimi i ajrimit/ventilimit në vendin e punës. Pastrimi rregullisht i sipërfaqeve, duke siguruar vende pune të pastra dhe higjenë të lartë, si dhe sigurimi mjeteve të duhura për larjen e duarve dhe dezinfektim.
Sigurimin e Pajisjeve Mbrojtëse Personale (PMP) për punonjësit aty ku janë të nevojshme dhe falas.
Marrjen e masave për izolimin e rasteve të dyshuara dhe gjurmimin e çdo kontakti.
Sigurimi i mbështetjes për shëndetin mendor të punonjësve.
Ofrimin e materialeve trajnuese, edukuese dhe informuese për shëndetin dhe sigurinë në punë, ku të përshkruhen praktikat e duhura për higjenizim dhe përdorimin e çdo mjeti parandalues të rreziqeve në vendin e punës (përfshirë edhe PMP).
Burimi origjinal këtu: