Aurora Qerimi është një infiermiere shqiptare që ka vendosur të japë ndihmën e saj në një spital të Ankonës.
Aurora është pjesë e grupit të dytë të infiermirëve shqiptarë që shkuan në ndihmë mjekëve italiane. Nga eksperienca e saj ajo tregon situatën në spitalin ku punon dhe si e shikon gjëndjen në vendin fqinj.
“Unë kam filluar punë prej 3 ditësh në një qëndër të moshuarish në periferi të Ankonës. Gjithsej ndodhen 270 veta, 40 nga të cilët janë të prekur me COVID-19. Kaq ditë sa kam punuar nuk kemi pasur asnjë raste vdekjeje dhe nuk mund të jap shumë të dhëna të sakta se koha që kur kam filluar punë është shumë pak. Unë kam 5 vjet që punoj si infiermiere në Shqipëri dhe vendimin për të ardhur për ndihmë në Itali e kam marrë vullnetarisht. Në momentin që mjekët dhe infiermirët e parë erdhën në Itali mua mu duk shumë sfiduese dhe prandaj mora këtë vendim”, shprehet Aurora.
Vendimi i saj është mbështetur nga familja por siç thotë edhe vetë Aurora miqtë e saj kanë qenë të frikësuar nga informacionet që dëgjonin për virusin në Itali.
“Në fillim kur erdhëm në Itali na bënë tamponin dhe pastaj na caktuan në zonat ku kishin më shumë nevojë për mjekë dhe infemierë. Rajoni ku unë jam është zonë e kuqe dhe ne sipas asaj që na është thënë do të qëndrojmë këtu një muaj. Sipas informacioneve që kam marrë këtu kjo gjëndje e rëndë në shtetin italian ka ardhur si pasojë e mos respektimit të masave dhe prandaj u bëj thirrje shqiptarëve që të jenë shumë të kujdesshëm këtë periudhë”, thekson infiermierja.
Burimi origjinal, këtu: